Kur dikujt i themi se ka “mendësi bunkeri”, ne zakonisht nënkuptojmë se ata janë aq të ngujuar në shprehitë e tyre sa nuk dinë të zhbirojnë rrotull vetes e ta shohin botën për ashtu si është. Por a është e mundur që përgjigjja e esëllt kundrejt gjendjes së botës është sprapsja në një bunker që u bën ballë bombave dhe nuk rrezikohet nga virusi?
Në librin e tij më të ri “Bunker: Building for the End Times”, Bradley Garrett, një “gjeograf eksperimentues” dhe “gjurmues urban”, ia mësyn nëse jo përgjigjes, të paktën ngritjes së pyetjes. Kurrë më parë në histori, shkruan ai, “njerëzimi nuk është përfytur me kërcënime të tilla të rënda ekzistenciale” siç po e përjetojmë sot, transmeton KOHA.
Ka përplot njerëz përgjigja e të cilëve ndaj shtimit të armëve bërthamore e biokimike është përgatitja për ditën kur lufta shpërthen apo ngjan ndonjë aksident dhe nis të zërë vend ajo lloj katastrofe nga filmat fantashkencorë.
Ata e quajnë veten “vigjilentë” dhe çfarë kanë të përbashkët mes vete është bindja që, kur çasti i gjëmshëm të arrijë, shteti nuk do të lëvizë gishtin e ndihmës për ta.
Të paktën jo të gjitha shtetet. Në Zvicër, siç na informon Garretti, ka një hapësirë bunkeri për 8.6 milionë njerëz. Dhe Koreja e Veriut “është shoqëria më e bunkerizuar në historinë e Tokës”. Por gjatë Luftës së Ftohtë, në Britani dhe Shtetet e Bashkuara, përgatitja qeveritare për një Armageddon bërthamor kufizohej në mbrojtjen e vetes dhe burokracive shtetërore. Të tjerët u lanë qetë t’i bënin derman vetes.
Në SHBA, shkruan Garrett, qytetarëve iu bë thirrje të ndërtonin bunkerët e tyre në përpjekje për të ruajtur shtetin. Kjo solli pasojën paradoksale të inkurajimit të ndjesisë së vetëruajtjes që “e bëri shtetin të dukej sipërfaqësorë”. Rrjedhimisht, nuk është e rrallë në SHBA – të paktën në këtë libër – të kalosh përmes të vetëshpallurve patriotë që ndiejnë se mënyra më e mirë për të mbrojtur vendin e tyre është duke u shkëputur prej tij.