Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka njoftuar për një takim ndërmjet liderëve të koalicionit qeverisës.

Sipas njoftimit të lëshuar për media, thuhet se në këtë takim, i pranishëm në takimin e liderëve të koalicionit (Isa Mustafa, Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj) do të jetë edhe kryeministri i vendit, Avdullah Hoti

“Ju njoftojmë se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës z. Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë nesër (e enjte), në takimin që do mbahet në ndërtesën e qeverisë, së bashku me liderët e tjerë të koalicionit dhe kryeministrin Avdullah Hoti”, thuhet në njoftim për media.

Ky takim, vjen pas përplasjeve që kishin tash e sa javë AAK dhe LDK, në lidhje me procesin e negociatave të zhvilluara në Bruksel.

Ramush Haradinaj ishte “hatëruar” kur Avdullah Hoti kishte emëruar coordinator shtetëror ëpr dialog, Skender Hysenin, duke përjashtuar Selim Selimin e AAK-së, nga ky process.

Përveç kësaj, AAK ka lëshuar akuza ndaj qeverisë Hoti për rastin e fundit, për hyrjen e xhandarmërisë në Karaçevë.

Ndërkohë, është paralajmëruar edhe futja e PDK-së në koalicion qeverisës. As Haradinaj e as Mustafa nuk e kanë përjashtuar mundësinë që PDK të jetë pjesë e qeverisë.

Madje, Haradinaj duke parë mundësinë e ndryshimeve në kabinetin qeveritar, ka marrë autorizimin nga partia për këto negociata. Ai ka shpallur zyrtarisht edhe kandidaturën për president.

Nga LDK thonë se ende nuk kanë diskutuar për këtë çështje, dhe se posti i të parit të vendit s’është pjesë e marrëveshjes LDK- AAK- Nisma.