Kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj aspak nuk i ka pëlqyer deklarata e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, për shkëmbimin e territoreve me Serbinë, ku përmend marrjen e Luginës së Preshevës dhe dhënien e 17 fshatra të veriut bashkë me Leposaviqin.
Haradinaj i ka çuar “selam” LDK-së së Isa Mustafë se partia e tij në një situatë të tillë me këto deklarata, nuk është më në interes t’i jap legjitimitet kësaj qeverie.
“Pastaj, e dëgjojmë nënkryetarin e parë ose të dytin të LDK-së zotin (Lutfi) Haziri kur flet hapur e publikisht se duhet ta japim Leposaviqin e 18 fshatra. Duke qenë kështu, për ne nuk është më interes t’i japim legjitimitet një qeverie dhe institucioneve të vendit vetëm pse kemi pak pushtet dhe nuk kemi vendimmarrje, e ne pastaj të bëhemi pjesëmarrës të vendimeve të këtyre forcave politike – me respekt për shumicën prej tyre – por, që kanë dhënë prova paqëndrueshmërie në tema të interesit nacional”, ka thënë Haradinaj në një intervistë për REL.
Ai ka folur edhe për hyrjen e PDK-së në qeveri, teksa ka deklaruar se nëse kjo ndodhë, ndërpritet varshmëria nga Lista Serbe.
“Mirëpo, këtu ndodh një ndryshim. E vërteta është se me ardhjen e PDK-së në qeverisje, ndërpritet ajo varshmëria ose varësia e kësaj qeverie edhe nga Lista Serbe, mirëpo edhe ne humbim një rol vendimtar që kishim, ta quaj ashtu, në dëgjimin e zërit tonë për vendimet për interesin nacional”, ka thënë Haradinaj.