Bisedimet në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, ka shumë gjasa të zhvillohen më 3 dhe 4 shtator për shkak të mundësisë që në to të merr pjesë edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Kështu së paku ka thënë presidenti serb, Aleksandar Vuçiq gjatë një interviste për mediat serbe teksa ka konfirmuar raportimin për shtyrjen disa ditore të bisedimeve.

Vuçiq ndër të tjera tha se shqiptarët nuk janë aspak të interesuar për ekonominë, por po mendojnë që të zgjidhet statusi i tyre.

“Nëse ata na kërkojnë njohje në këmbim të integrimit Euro-Atlantik, ne do t’u themi, jo faleminderit, le të bëjmë diçka më serioze”, theksoi ai.

“Presidenti Trump ka një politikë më të mirë ndaj Serbisë sesa njerëzit e administratave të mëparshme. Richard Grenell gjithashtu ka ide të mira. Gjithçka që është negociuar në dhjetë vitet e kaluara, jo për njohje, por për normalizim, u kryen nën kujdesin e Brukselit”, shtoi presidenti serb.

“Ne përpiqemi të mos zemërojmë askënd dhe do të ishte e papërgjegjshme dhe e dëmshme të refuzojmë një ftesë në Shtëpinë e Bardhë ose Bruksel”, shtoi Vuçiq.

Ndryshe, bisedimet raportohet se do të prodhojnë tri marrëveshje të reja ekonomike mes dyja shteteve.