Në Komunën e Podujevës janë konfirmuar sot edhe 13 raste të reja me virusin korona, raporton Llapi.info.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, me nga 2 raste janë në qytet, Shajkoc, Gllamnik, Llapashticë e Epërme dhe me nga një rast në fshatrat; Bellopojë, Metehi, Lupç i Poshtëm, Dobratin dhe Katunishtë (Velikorekë).

Epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë komunë, Bedrie Rama ka thënë për Llapi.info se numri i të vdekurve me COVID-19 është 14.

Më tej, Rama ka theksuar se aktualisht në Podujevë aktivë me virusin korona janë edhe 127 persona. Sipas saj, janë edhe disa persona në pritje të rezultateve nga IKSHPK-ja.

Që nga rasti i parë pozitiv më 15 mars, deri më tani në Podujevë pozitivë për COVID-19 kanë rezultuar rreth 500 llapjanë. Në Klinikën Infektive dhe QKMF-në e Podujevës janë testuar gati 1500 qytetarë.

Komandanti i Stacionit Policor në Komunën e Podujevës, Bekim Zogiani, në mbledhjen e fundit të shtabit emergjent ka thënë se zyrtarët policorë janë vazhdimisht në terren për të monitoruar gjendjen rreth respektimit të masave dhe rekomandimeve nga IKSHPK dhe MSH. Zogiani në këtë mbledhje ka konfirmuar se numri i gjobave (fletëparaqitjeve) për qytetarët që s’i respektojnë masat parandaluese çdo ditë është në rritje.

Llapi.info ka tentuar të marrë detaje se sa gjoba janë shqiptuar për personat që s’i kanë respektuar masat anti-covid, por nga Policia e Podujevës deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.

Siç mëson Llapi.info, pronarë të bizneseve janë gjobitur për mosrespektimin e masave ndaj COVID-it, kurse inspektorati dhe PK kanë ndërhyrë edhe në organizimet për pritjen e të pameve (ngushëllimeve).

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka regjistruar në 24 orët e fundit 9 persona të vdekur me koronavirus, duke e çuar numrin total të viktimave në 457.

Të dhënat e së shtunës kanë treguar edhe për 169 raste të reja të prekura nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi, pas testimit të 455 mostrave.

Gjatë 24-orëve të fundit janë shëruar edhe 197 pacientë nga sëmundja që shkakton COVID-19, duke bërë kështu që numri i të shëruarve të arrijë në 8.346. Aktualisht janë edhe 3,534 raste aktive.

Prej 13 marsit, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka raportuar për 12,337 të infektuar me këtë virus./Llapi.info