I ka gati 80 vjet, por punën s’e ndal. Thotë me bindje të plotë se është frizerja e parë në Kosovë. Shirin e ka emrin, ndonëse të gjithë e njohin si Qamile. E për këtë ka një histori.
Por, histori është vetë rrugëtimi i saj në profesion. Një jetë kushtuar kujdesit ndaj flokut, për ç’gjë thotë se është çelësi i bukurisë së një gruaje.
Nëpër duart e Qamile Vuçitërnës kanë kaluar flokët e shumë grave. Nuk kanë të numëruar ato, aq sa qimet e kokës. Por, vetë Qamilja në rrëfimin e saj për Kohën Ditore nuk mund të mos i dallojë disa prej tyre. Nis me gratë e ish-politikanëve kosovarë, e del te Jovanka e Titos. Edhe divat e muzikës, si Nexhmije Pagarusha, Liliana Çavolli e Shahindere Bërlajolli, që të tria tashmë të ndjera, po ashtu ia kishin besuar zonjës Qamile flokët e tyre, derisa shkëlqenin në skenën muzikore. Prezantueset si Drita Gërmizaj e Vera Hima, janë edhe dy gra të tjera në këtë listë të gjatë.
Rrugëtimi i Qamiles nuk ka qenë pa sfida. Në zemër të asaj që njihet si Prishtina e Vjetër ajo ka shtëpinë, që thotë se e ka bërë me mundin e dhjetë gishtave të dorës. Aty ka edhe sallonin, në të cilin ende kalon pjesën më të madhe të ditës, pa e ndier fare lodhjen.
Kapërcimi i “kanës”
Ka qenë mesi i viteve ‘50 të shekullit të kaluar kur Qamile Tyrbedari, me mbiemër të çiknisë, ka hyrë në zanatin e frizeres. E mban mend se në dyqanin përballë, në atë kohë Teatrit Krahinor, ka qenë një dyqan ku ka pasur edhe berber, edhe frizer. Usta Hakiu ka qenë ai që është kujdesur për flokët e grave aty. Zonja Qamile dhe një shoqe e saja do të ishin nxënëset e para… (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)