Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin ka dhënë sinjale se Liga e Kampionëve në nivelin e meshkujve dhe femrave, po ashtu edhe Liga e Evropës, mund të luhen me nga një ndeshje dhe një lokacion.

Pandemia me Coronavirus ka detyruar UEFA-n që në këtë sezon të zhvillojë të gjitha fazat me nga një ndeshje, me finalen e luajtur mes Interit dhe Sevillës në Gjermani (Liga e Evropës), derisa ajo e Ligës së Kampionëve në Lisbonë mes Paris Saint-Germainit dhe Bayern Munichut.

Ceferin ka thënë se ky format është mjaftë interesant nga ai historiku që zhvilloheshin nga dy ndeshje dhe me finalen një të tillë.

“Është gjëja më pozitive që ka sjellë pandemia me Coronavirus”, ka thënë presidenti i UEFA-s. “Ishim të detyruar që të bënim një sistem të tillë. Duhej të luanim në këtë mënyrë, ne e shohim si mjaftë interesante”.

“Është shumë e komplikuar që të zhvillojmë një kalendar me ‘Final 8’. Por, ne kemi parë që tifozëve u ka pëlqyer më shumë ky format. Edhe pse kemi më pak ndeshje, rëndësia ishte më e madhe”, ka shtuar ai më tej.

UEFA është duke e shikuar mundësinë që të bëjë ndryshime në Ligën e Kampionëve deri në vitin 2024, për të testuar se cilat do të ngjallte më shumë kënaqësi për të ndjekur përballjet.