Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit S.A., për shkak se ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprat penale ‘’Vrasja e rëndë’’ dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës i pandehuri S.A. e ka privuar nga jeta personin tjetër dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, në atë mënyrë që më 26.01.2020, në fshatin Maqitevë të Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 eurove që ia kishte tani i ndjeri SH.K., vëllait të tij, fillimisht fillojnë të fjalosen, më pas shkon te kamioneta e tij e merr pushkën gjysmë automatike dhe në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit SH.K. dhe e godet fillimisht në fytyrë i cili rrëzohet në tokë, e pastaj deri sa ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç’rast i shkakton tetë (8) plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri S.A. ka kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’.
Po ashtu, i pandehuri S.A. në kundërshtim me ligjin ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, me numër serik 41216.
Me këto veprime, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.