Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar ftesën e kryeministrit Avdullah Hoti për të dërguar përfaqësues në delegacionin e Kosovës për takimet me Serbinë në Bruksel dhe Uashington.

Pak pasi Hoti njoftoi publikisht se sot ka kërkuar nga partitë opozitare t’i bashkohen në dialog, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Përparim Kryeziu, në një njoftim në Facebook ka thënë se kjo parti nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese.

Në përgjigjen e tij ai ka thënë se “Kjo qeveri është jolegjitime dhe jokredibile pasiqë nuk përfaqëson vullnetin e qytetarëve dhe nuk buron nga vota e tij në zgjedhjet e fundit”.

“I mungon platforma me parime dhe vija të kuqe për procesin e dialogut – ndonëse një dokument të tillë e parasheh në programin e saj qeverisës. Nuk ka mbështetje të gjerë në Kuvend ku është e varur nga secila votë e Listës Serbe, dhe i është nënshtruar Serbisë dhe çdo kërkese të saj deri më tani. Përkundër faktit se prioritetet e Kosovës duhet të jenë menaxhimi efikas i pandemisë COVID-19, rimëkëmbja ekonomike, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, dhe zhvillimit socio-ekonomik, kjo qeveri plotësisht e çorientuar dhe duke dështuar në secilin rrafsh po i jep vëmendje të pakushtëzuar një procesi për të cilin as nuk ka planifikim, as përgatitje, as mbështetje por as legjitimitet. Në përputhje me qëndrimet tona në raport me këtë qeveri jolegale dhe jolegjitime, për arsyet e lartëpërmendura, por jo vetëm, Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese. Pozicioni ynë në këtë çështje është i qartë. Kosova mund të dialogojë me Serbinë vetëm pas zgjedhjeve të parakohshme kur do të kemi qeveri me legjitimitet të plotë, që harton, prezanton dhe siguron unitet përmes një platforme që merr mbështetjen e 2/3 të deputetëve në Kuvend si dhe duke u nisur gjithnjë nga reciprociteti si parim i marrëdhënieve të barabarta ndërshtetërore”, ka shkruar ai.