Kosova dhe Serbia konfirmuan të enjten, pas takimit në Bruksel, se procesi negociator ka shënuar regres, por të dyja palët fajësuan njëra-tjetrën.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni ka thënë se pala serbe është treguar jokonstruktive në bisedime.

Ai tha se si koordinator i dialogut, në Bruksel qëndron për të diskutuar për elemente të një marrëveshjeje të përgjithshme “për njohje reciproke”.

“Pra nuk bëhet fjalë as për të pagjeturit dhe ekonominë si marrëveshje të veçanta. Janë postulate parimore që do të jenë në marrëveshjen e përgjithshme asgjë më shumë. Që të flas me gjuhë teknike, ato elemente do të zënë e shumta një faqe tekst në marrëveshjen e përgjithshme”, ka thënë Hyseni.

Ndërsa, kreu i delegacionit serb në bisedime, Marko Gjuriq, bisedimet i cilësoi si teknike, duke thënë se palët kanë diskutuar “për të pagjeturit dhe zhvendosurit brenda Kosovës, si dhe çështjet ekonomike”.

Ai tha se pala serbe e ka ngritur edhe çështjen e rrugës afër Manastirit të Deçanit si dhe ka kërkuar që sa më parë të zbatohet marrëveshja për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

“Ne sot luftuam këtu për interesat serbe përmes zgjidhjes së problemeve për çështjet jetike të njerëzve të zakonshëm, dhe çështja jetike e popullit tonë në Kosovë është të zbulojmë fatin e mbi 500 serbëve”, tha Gjuriq.

Ai tha se “bisedimet teknike do të mbahen sërish para takimit të liderëve politikë”.

“Pala kosovare po përhapë dezinformata kur thotë se po zhvillohen bisedime për njohje”, tha Gjuriq.

Më herët, i dërguari i Posaçëm për dialogun i BE-së, Mirosllav Lajçak, në një postim në Twitter ka bërë të ditur se është takuar me koordinatorët nga të dyja palët, për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit.

“Para takimit të nivelit të lartë politik në fillim shtatorit, u takova sot me kryenegociatorët/koordinatorët për të punuar në finalizimin e çështjeve të diskutuara në takimet e fundit”, ka shkruar Lajçak.

Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Prej kur kishte rifilluar dialogu në nivelin e lartë, pos dy takimeve të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë zhvilluar edhe tri takime në nivel ekspertës. Shefi i delegacionit të Kosovës në këto takime, Skender Hyseni, gjithmonë ka insistuar se bisedimet janë politike e jo teknike dhe se në to po përgatitet marrëveshja gjithëpërfshirëse, e cila do të përmbajë edhe njohjen e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

Në anën tjetër, delegacioni i Serbisë ka hedhur poshtë se po flitet për njohjen e Kosovës dhe ka insistuar se duhet të flitet edhe për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, të cilat janë arritur më parë në këtë dialog.

Një javë pas takimit të sotëm në Bruksel, do të zhvillohet edhe takimi i nivelit të lartë në Uashington i thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në BE atë takim nuk e shohin si konkurrencë apo garë mes tyre dhe SHBA-së, por vetëm si plotësim të përpjekjeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë vjeshtës, sipas burimeve të BE-së, pritet një rritje e dinamikës së takimeve, si në nivelin e lartë, ashtu edhe në atë të ekspertëve.

Në pjesën e parë të shtatorit do të mund të takohen në Bruksel kryeministri i Kosovës, Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Vuçiq, ndërsa takimet e ekspertëve do të mund të zhvillohen rregullisht, së paku një herë në javë, nëse rrethanat do të mundësojnë një gjë të tillë dhe palët do të kenë gatishmëri. /rel