Gjermania ka prezantuar masa më të ashpra për të frenuar përhapjen e coronavirusit para sezonës së vjeshtës dhe dimrit, duke përfshirë rregullat e reja të udhëtimit, njoftoi kancelarja Angela Merkel.
“Ne mund të shohim se numri i infeksioneve është rritur në javët e fundit. Këtë rritje e marrim shumë seriozisht”, tha Merkel, raporton CNN.
Duke folur gjatë një konference shtypi pas një takimi me udhëheqësit e qeverisë federale dhe shtetërore, Merkel shtoi se Gjermania deri më tani “e ka menagjuar mirë pandeminë”, por paralajmëroi se masat e reja do të luftojnë edhe më tepër coronavirusin, transmeton Telegrafi.
Kufizimet e reja përfshijnë:
Në shumicën e shteteve, njerëzit që nuk vendosin maska në fytyrë do të gjobiten me 50 euro.
Ndalohen tubimet e mëdha deri në fund të vitit, duke përfshirë koncertet dhe ngjarjet sportive.
Udhëtarët janë këshilluar të shmangin të gjitha udhëtimet në zonat me rrezik më të lartë.
Ata që kthehen nga zonat e tilla, tani do të kërkohet të vetizolohen për të paktën pesë ditë para se të lejohen të bëjnë një test të coronavirusit.
Pas rritjes së numrave të të infektuarve me virus kanë bërë që autoritetet në Berlin të ndalojnë një protestë të planifikuar kundër kufizimeve shkaku i virusit.
Ndryshe, Gjermania deri më tani ka konfirmuar mbi 241 mijë raste me COVID-19 dhe 9359 njerëz kanë vdekur.