Instituti i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka konfirmuar edhe vdekjen e policit nga Peja Ali Çelaj.
Çelaj është polici i nëntë në Kosovë që ka humbur jetën nga ballafaqimi me coronavirusin.
Gjithashtu edhe 200 pjesëtarë tjera të Policisë së Kosovës janë ende aktiv me këtë virus.
“Kolegu yna Ali Çelaj humbi jetën nga sëmundja që e fitoi duke shërbyer në Stacionin e Policisë në Pejë gjatë kohës së pandemisë. Mbrëmë ai ka vdekur si pasojë e sëmundjes”, ka deklaruar për RTV Dukagjinin Veton Elshani – Zv/drejtor i Policisë në Rajonin e Pejës.
Elshani thotë më tej se është shqetësues numri i të prekurve në policinë e Kosovës, përcjell Telegrafi.
“Ne i kemi pasur [Rajoni i Pejës] 27 policë të prekur nga COVID-19. Dy prej tyre fatkeqësisht kanë ndërruar jetë, ndërsa 25 tjerë janë të sëmurë apo e kanë kaluar tashmë këtë sëmundje. Situata është e tillë në gjithë botën dhe ne po bëjmë përpjekje të ruhemi sa të kemi mundësi që të mos infektojmë personat që janë me sëmundje shoqëruese apo familjarët tonë që i kemi në shtëpi, njëkohësisht duke kryer punën tonë sipas ligjit”.
Kujtojmë se në Kosovë deri më tani nëntë pjesëtarë të policisë kanë humbur jetën nga infektimi i COVID-19 ndërsa rreth 200 të tjerë janë raste të konfirmuara aktive.