Një qytetar ka paguar 200 euro për ta kryer një test për COVID-19 me metodën PCR në laboratorin “Medical & Laboratory Services”, i cili është në pronësi të vajzës së biznesmenit Blerim Devolli.
Personi i cili publikoi faturën e pagesës së këtij testi, Izet Berisha, ka treguar për Gazetën Sinjali se familjari i tij ka paguar 200 euro për këtë test, rezultatin e të cilit e ka marrë pas 3 orësh.
“Ai i cili e ka paguar është familjari im, e ka bërë testin në këtë klinikë rreth orës 17:00. Rezultatin e testit e ka marrë rreth orës 20:00, për të cilin ka paguar 200 euro”, ka thënë Berisha.
Berisha ka treguar se familjari i tij sot ka udhëtuar në Gjermani përmes Maqedonisë së Veriut.
Sipas Berishës, familjarit të tij i kanë thënë që duhet të pres më gjatë për rezultat, por nëse dëshiron ta marrë rezultatin brenda ditës duhet të paguajë 200 euro.
“Fillimisht ka qenë në klinikën UBT, ata i kanë thënë që nuk janë duke bërë teste. Pastaj ka shkuar te ky laborator dje dhe i kanë thënë se duhet të pres, por nëse dëshiron ta marrë rezultatin brenda ditës duhet të paguajë 200 euro”, ka thënë tutje Berisha për Gazetën Sinjali.
Për këtë çështje kanë reaguar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Autoriteti Kosovar i Konkurrencës.
MSH-ja në një sqarim thotë se në këtë institucion testi PCR kushton 65 euro, por nëse rezultatet jepen brenda 60 minutash, çmimi është 200 euro.
Ndërkaq si pasojë e shkeljeve të rënda, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës (AKK) ka bërë të ditur se ky laborator mund edhe të mbyllet përkohësisht deri në gjashtë muaj si dhe mund të dënohet deri në 10% të qarkullimit vjetor.
Gazeta Sinjali ka më shumë se dy javë që ka provuar të kontaktojë me këtë laborator, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.