Familjari i personit që pagoi 200 euro për një test molekular për COVID-19 në laboratorin privat “Medical & Laboratory Services”, e ka demantuar Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) e cila tha se testimet e tilla që kushtojnë 200 euro, e tregojnë rezultatin maksimu brenda një ore.
Por Izet Berisha, qytetari i cili e publikoi faturën e pagesës së këtij testi ka treguar për Gazetën Sinjali se familjari i tij ka paguar 200 euro për këtë test, rezultatin e të cilit e ka marrë pas 3 orësh.
“Ai i cili e ka paguar është familjari im, e ka bërë testin në këtë klinikë rreth orës 17:00. Rezultatin e testit e ka marrë rreth orës 20:00, për të cilin ka paguar 200 euro”, ka thënë Berisha.
Sipas tij, familjarit të tij i kanë thënë që duhet të pres më gjatë për rezultat, por nëse dëshiron që rezultatin ta marrë brenda ditës, duhet të paguante 200 euro.
“Fillimisht ka qenë në klinikën UBT, ata i kanë thënë që nuk janë duke bërë teste. Pastaj ka shkuar te ky laborator dje dhe i kanë thënë se duhet të pres, por nëse dëshiron ta marrë rezultatin brenda ditës duhet të paguajë 200 euro”, ka thënë tutje Berisha.
Ai gjithashtu e ka publikuar rezultatin të cilin e kishte marrë familjari i tij në këtë laborator, i cili përmban kohën e saktë të marrjes së mostrës dhe atë të rezultatit.
“Një demantim për Ministrinë e Shëndetësisë! Rezultati i testit nuk është dalë për 60 minuta (shiko ne foto). Sa shumë mundohen me arsyetu favorizimin e një kompanie private në dem të qytetarëve, le t’i fillojnë procedurat për licensimin e Siptaleve Regjionale dhe Private që i përmbushin kushtet e kriteret”, ka shkruar ai.
Nje demantim per Ministrine e Shendetesise!Rezultati i testit nuk eshte dal per 60 minuta (shiko ne foto). Sa shume…
Gepostet von Izet Berisha am Sonntag, 30. August 2020
Në sqarim, MSH-ja thotë se testi që është realizuar në laboratorin e vajzës së biznesmenit Blerim Devolli është i një lloji tjetër më rë shtrenjtë dhe varet prej qytetarëve nëse duan ta bëjnë apo jo.
“Në institucionin privat shëndetësor që ofron teste molekulare, sipas informacioneve të siguruara, testi PCR kushton 65 euro, ndërsa testi tjetër PCR (genex covid test), rezultatet e të cilit jepen brenda 45-60 minutash deri në 200 euro. Është plotësisht në të drejtën e qytetarit nëse do të zgjedh të kryej një test serologjik apo PCR test sikurse edhe çmimin të cilin do ta paguajë”, thuhet në komunikatën e MSH-së.