Për regjisorin kroat Ivan Ramljak është e qartë se sfida më e madhe gjatë realizimit të filmave dokumentarë është mbajtja e lidhjeve me njerëzit, për të cilët është duke e realizuar dokumentarin. Duhet të ketë një shkëmbim. Ndarje e eksperiencave, emocioneve dhe kohës në mes të filmbërësit dhe personazheve.

Në këtë formë, sipas regjisorit, realizohet një film i mirë dhe kjo nuk është çdoherë e lehtë. E për të ditur se kur i ka rënë pikës, sipas tij, duhet pasur në mendje emocionet. Thotë se njerëzit duhet të ndiejnë diçka, shkruan KOHA. Ai vetë e ka të nevojshme që të përfshihet qoftë në mënyrë emocionale ose intelektuale. Ose, të paktën, siç thotë ai: “kam nevojë të shastisem nga cilësitë e filmbërjes”.

Regjisori, kritiku i filmit dhe kuratori i pavarur i programeve filmike, Ivan Ramljak, është fitues i garës ballkanike në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Në edicionin që nisi më 7 gusht e përfundoi më 25 gusht u paraqit me dokumentarin “Once Upon a Youth”.

Ramljak 46-vjeçar deri tani ka bërë regjinë e nëntë filmave të shkurtër, një të metrazhit të mesëm dhe “Once Upon a Youth” (2020), debutimi i tij në metrazhin e gjatë. Në mesin e projekteve filmike të realizuara nga Ramljak veçohet edhe dokumentari i shkurtër “Islands of Forgotten Cinemas” apo në origjinal “Kino otok”, që është shfaqur në më shumë se 40 festivale ndërkombëtare.

Për një rrëfim të vërtetë

Në një intervistë për KOHËN, regjisori Ivan Ramljak ka treguar se në rend të parë e më me rëndësi është fakti se ai e konsideron veten më shumë si një kinofil sesa si regjisor. Si kinofil lë edhe këshillën që njerëzit të shohin sa më shumë filma. “Dhe kur mendoni që i keni parë të gjithë, shikoni akoma më shumë. E pastaj, përpiquni që të kuptoni se çfarë dëshironi që të bëni dhe përse”, thotë ai.