Një aksident i rëndë trafiku ndodhi mbrëmjen e sotme në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ saktësisht në afërsi të fshatit Babush.
Si pasojë e këtij aksidenti një person ka humbur jetën.
Kjo është bërë e ditur për Indeksonline nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
“Në ora 18:38 në autostradën “Arbën Xhaferi” afër fshatit Babush (Ferizaj) është shkaktuar një aksident trafiku me fatalitet. Dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin mbi automjetin dhe është rrokullisur, një person tjetër po ashtu raportohet se ka pësuar lëndime të rënda trupore. Policia po merret me rastin”, tha Hoxha.
Ai poashtu shtoi se rastet e aksidenteve, kryesisht vetaksidenteve javën që po e lëmë pas kanë rezultuar me pasoja fatale, prandaj edhe një herë kanë kërkuar që drejtuesit e automjeteve të kenë vëmendje të shtuar dhe vigjilencë.
“Përveç rrezikimit të vetës po rrezikojnë edhe pjesëmarrësit tjerë në trafik. Policia do të marrë masa rigoroze ndaj të gjithë atyre që rrezikojnë sigurinë e përgjithshme në trafik dhe do të ketë zero tolerance”, theksoi ai.