Ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka thënë se viti i ri shkollor do të nisë më 14 shtator, ashtu siç ka rekomanduar Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë.

“Me aprovimin e ligjit anti-COVID-19 dhe miratimin në gazetën zyrtare, Ministria e Shëndetësisë ka autorizime të mëdha dhe para se të merret vendimi jemi ftuar bashkë me SBASHK-un, Shoqatën e Prindërve, Ministrinë e Shëndetësisë… dhe kemi dëgjuar rekomandimet dhe vendosëm që viti i ri shkollor të fillojë 14 shtator”, është shprehur Likaj, njofton Klan Kosova.

Ai në Sytë 7 ka thënë se një numër i madh i nxënësve për arsye të ndryshme e kanë pasur të pamundur që ta vazhdojnë mbajtjen e mësimit nga distanca.

“Nëntë mijë e 700 nxënës nuk kanë qenë në gjendje që ta vazhdojnë mësimin në distancë. Dikush s’ka pasur pajisje teknologjike, qasje në internet dhe qasje në sistemin kabllor ose ka qenë numri i madh i fëmijëve në një familje”.

Sa i përket mbajtjes së Testit të Maturës, ka thënë se ka shkruar mbarë dhe që ka pasur vetëm disa parregullsi të vogla që janë raportuar.