Ish-zëvendëskryeministri Haki Abazi ka deklaruar se delegacioni i Kosovës që tashmë ka arritur në Washington i kryesuar nga kryeministri Avdullah Hoti nuk ka legjitimitet dhe nuk e përfaqëson askënd në Kosovë.

Për më tepër, Abazi kryeministrin e Kosovës e ka quajtur të paaftë dhe të dobët, i cili sipas tij asnjëherë nuk ka marrë pjesë në asnjë proces të rëndësishëm për vendin.

“Avdullah Hoti përveç se është i dobët është edhe i paaftë, sepse asnjëherë në jetën e tij nuk ka marrë pjesë në një proces negociator kaq serioz dhe kompleks për të cilin po flasim. Fatkeqësisht asnjëri në delegacionin kosovar nuk kanë përvojë të vetme në negociata ndërkombëtare që mund të përfundojnë realisht me pasoja shumë të rënda për vendin dhe interesin e shtetit tonë”, ka deklaruar ai.

Abazi ka paralajmëruar se në Washington në prag të zgjedhjeve synohet të arrihet një marrëveshje e shpejtë dhe se Hoti ndodhet në një pozitë të vështirë nëse refuzon marrëveshjen.

“Zoti Grenell e di mirë që Zoti Hoti është një produkt i një procesi të tradhëtimit të votës qytetare. Kjo është e ditur botërisht. Zoti Hoti as nuk ka vend në Amerikë tani e as nuk ka vend në Kosovë. Zoti Hoti është i dobët edhe i paaftë edhe dredhak”, tha Abazi ndër të tjera.