Albin Kurti, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, e ka quajtur turizëm qeveritar vizitën e delegacionit të Qeverisë së Kosovës në Washington, për takimin me Serbinë.
Në një konferencë për media, Kurti ka thënë se ekipi i Kosovës s’është i koordinuar.
“Delegacioni kosovar shkoi tri ditë më herët, para fillimit të bisedimeve. Ky është turizëm qeveritar me para të shtetit e të popullit. Delegacioni nga Kosova është enorm për nga numri i pjesëmarrësve dhe shumëfish më i madh sesa ai nga Serbia. S’ka përvojë në negociata ndërkombëtare, por vetëm në ato për poste qeveritare. Mbase negociatat e vërteta janë mes SHBA-së dhe Serbisë, e delegacioni kosovar është ndërmjetësuesi i panevojshëm”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, s’mund të ketë marrëveshje pa fituesin e zgjedhjeve.
Tutje Kurti ka thënë se pa pasur vlerësim të marrëveshjeve të shkuara, pa paraqitur kërkesat ndaj Serbisë dhe pa pasur platformë e ekip negociator, s’mund të ketë marrëveshje të drejtë e të qëndrueshme mes shteteve.
Ai ka thënë se Kosovës nuk i mjafton vetëm njohja nga Serbia. “Serbia na ka shumë më shumë borxh”, ka shtuar ai.
E ka quajtur çmenduri “idenë që të kryhet marrëveshja shpejt e shpejt pa përfshirjen e partisë më të madhe në vend”.
Ai ka shtuar se pa parapërgatitje për procesin e dialogut “do të shkojmë drejt një dështimi tjetër”.
Ish-kryeministri Kurti ka kritikuar menaxhimin e situatës me COVID-19 nga Qeveria Hoti. Sipas tij “përderisa një e treta e kabinetit është larg ndoshta edhe përmirësohet situata shëndetësore në vend”.
“Sa më shumë prej tyre në Kosovë aq më keq për Kosovën. Na ngelet pak merak pse s’e morën edhe ministrin e Shëndetësisë me vete”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se Armend Zemaj “është ministër i Shëndetësisë vetëm sepse i ka qëlluar kjo ministri”.