Kosova dhe Serbia më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë nënshkruar marrëveshje për normalizim ekonomik.
Dy ditë pas kësaj, Shtëpia e Bardhë ka publikuar një video të fjalimit të Hotit në të cilën flet për përkushtimin e Kosovës për normalizimin e mardhënieve me Serbinë, përfshirë, përmirësimin e jetës së njerëzve, ekonomisë e tregut të hapur.
Hoti po ashtu falenderon dhe shpreh mirënjohje për shtetin amerikan, administratën Trump, që është e përkushtuar për të ndihmuar dy shtetet në arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar të punojmë së bashku për të përmirësuar jetën e njerëzve, për të bërë punë të reja në rajon … Ne ndajmë të njëjtat vlera të lirisë, demokracisë dhe ekonomisë së tregut të hapur”, tha Hoti.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nisi më 2011 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Shtetet e Bashkuara u përfshin në këtë dialog më shumë, pasi më 4 tetor, 2019, presidenti Trump, emëroi Richard Grenell si të dërguarin e tij të posaçëm në këto bisedime.
Pas takimit në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri Hoti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel të hënën, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.