Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur mirënjohje për Shtete e Bashkuara të Amerikës për, pasi siç ka thënë “gjithmonë i kanë qëndruar pranë qytetarëve të Kosovës dhe e ka përkrahur për liri, shtet dhe integrime evropiane”.

Deklarata e Thaçit pason nënshkrimin ditën e premte, më 4 shtator, të një marrëveshjeje për normalizim ekonomik në mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje mori pjesë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Marrëveshja u nënshkrua në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Thaçi, tha se më nënshkrimin e marrëveshjes, më 4 shtator, në Shtëpinë e Bardhë, është konfirmuar përkushtimi i SHBA-së për përkrahjen e Kosovës.

“Ishte ndërmarrja diplomatike më serioze e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këto dy dekada për Ballkanin Perëndimor. Gjatë këtij procesi jo të lehtë, në fakt shumë të vështirë, hasem në vështirësi, akuza, pengesa, konspiracione të shumta nga shumë anë. Me formalizimin në Shtëpinë e Bardhë, të gjitha këto u treguan të rrejshme, të pa qëndrueshme dhe paragjykuese”, tha presidenti Thaçi.

Thaçi tha se Kosova mund të ketë sukses në lidershipin e SHBA-së. Ai ndërkaq u shpreh se më e rëndësishme është substanca e marrëveshjes sesa prezenca fizike.

“Nuk mund të bëhet asnjë hap tutje pa unitet politik pozitë – opozitë. Sepse vendi është i të gjithëve. Vetëm kontributi i përbashkët i të gjithëve mund të rezultojë me sukses për vendin tonë, veçanërisht në procesin për implementimin e kësaj marrëveshjeje. Ne gjithë kemi kërkuar çdo herë që të ketë rol udhëheqës lidershipi i SHBA-së, kjo ka ndodhur. Nuk bën të lejojmë që mentaliteti tribal të ndikojë në vonesa që Kosova po i paguan shumë shtrenjtë”, tha Thaçi.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes në Uashington, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, tashmë janë duke zhvilluar takime me përfaqësuesin e i lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Marrëveshja e 4 shtatorit parasheh bashkëpunim ekonomik mes dy vendeve. Palët janë zotuar se do të zbatojnë një sërë marrëveshjesh të arritura tashmë, siç është ajo për autostradën mes Kosovës dhe Serbisë, ajo për hekurudhat dhe për linjën ajrore.

Po ashtu, aty parashihet që Kosova dhe Serbia të përshpejtojnë përpjekjet për të lokalizuar dhe identifikuar mbetet e personave të humbur.


Çfarë përmban marrëveshja e nënshkruar në Uashington?
Në bazë të marrëveshjes, Kosova dhe Serbia do t’i bashkohen “zonës së mini-Schengenit”, që është krijuar më 2019 dhe ku tashmë marrin pjesë, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Kosova, sipas marrëveshjes, po ashtu është pajtuar që brenda një viti të mos kërkojë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Serbia, në anën tjetër, është pajtuar po ashtu që brenda një viti të ndalë fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sa i përket Liqenit të Ujmanit, në marrëveshje thuhet se palët do të punojnë me Departamentin amerikan të Energjisë për një studim fizibiliteti, me qëllim të përdorimit të përbashkët të këtij liqeni, si furnizues i sigurt i ujit dhe energjisë./REL