Ndërsa administrata e Trumpit dhe liderët e rajonit nuk kanë ngurruar t’i quajnë deklaratat e nënshkruara në Uashington nga Vuçiçi dhe Hoti si “historike”, në Gjermani shihen me skepticizëm.

Deklarata zyrtare nga Berlini, të hënën, në përgjigje të një pyetjeje të Deutsche Welle-s, në konferencën e rregullt të qeverisë, mund të përmblidhej kështu: “I përshëndesim parimisht të gjitha përpjekjet që bëhen për përmirësimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, por mbështesim sidomos tërësisht përpjekjet ndërmjetësuese të të ngarkuarit të BE-së, Lajçak.” Kështu tha zëdhënësi i ministrisë gjermane të punëve të jashtme, Christopher Burger, duke shtuar: “Përshëndesim edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Izraelit dhe Kosovës“

Se përse arritja, që presidenti amerikan, Trump, pasuar nga liderët në rajonin e Ballkanit, e quan “marrëveshje historike“, nuk u prit me eufori nga Gjermania, nuk ka të bëjë edhe aq me mospajtimet e shumta që ekzistojnë sot mes qeverisë gjermane dhe administrates së presidentit Trump. Përkundrazi, Gjermania do të gëzohej madje, nëse Shtetet e Bashkuara vërtet do të arrinin ndonjë marrëveshje, thotë një diplomat gjerman në Berlin, në bisedë me DW.

Gëzimi i Gjermanisë pas marrëveshjes kishte të bënte kryesisht me faktin që nuk u bë ndonjë “marrëveshje e pistë”, në dëm të viktimave të luftës, me mosdënim ose amnisti për kriminelët e luftës që ende janë të lirë. Por shanset që kjo të ndodhte, mbas formulimit të aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, ishin të vogla.

Mungesa e euforisë gjermane ka të bëjë me faktin, që marrëveshja në radhë të pare nuk ishte marrëveshje, thuhet nga qarqet diplomatike. Kjo, jo vetëm për shkak të formës, siç do të konstatonte, ambasadori ëolfgang Ischinger, në një mesazh në Twitter.

“Gjë e mirë është që Shtetet e Bashkuara kujdesen për Kosovën dhe Serbinë, por është e rëndësishme të shënohet se nuk është nënshkruar asnjë marrëveshje mes palëve në Washington DC, sepse ende nuk ka një njohje reciproke. Mbetet shumë punë për BE-në, Miroslav Lajçakun dhe Komisionin e BE-së”, shkruan organizatori i Konferencës së Sigurisë në Mynih.

Në planin e bisedimeve Serbi-Kosovë, vëzhguesit në Berlin, jo vetëm që nuk shohin ndonjë përparim, por, përkundrazi, janë të pakënaqur edhe me pikën që e detyron Kosovën të heqë dorë për një vit nga aplikimi ne organizatat ndërkombëtare. “Ky është një kthim prapa në procesin e njohjes së Kosovës”, thotë për Dë, nje diplomat i rangut të lartë ne Berlin. Gjermania ka qenë lobuesja kryesore në vitin 2018 për ta anëtarësuar Kosovën në Interpol.

Të pakënaqur janë qarqet nga Berlini edhe për shkak të futjes së Kosovës në Mini-Schengen. Sepse ka qenë Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal struktura e parë e krijuar enkas për këtë qëllim në kuadër të Procesit të Berlinit. E aty përshiheshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.