Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, tashmë ish-nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vjosa Osmani e ka bërë të ditur vendimin e saj përfundimtar që t’i ndajë rrugët me këtë parti, raporton GazetaBlic.

Duke e quajtur kryeministrin Hoti arrogant, Osmani në një adresim për medie ka thënë se është shumë vonë që LDK të ketë mbështetje nga ajo dhe se me përjashtimin nga partia ka përfunduar gjithçka.

“Natyrisht që po, përgjigja konkrete e saj është vendimi i tyre i 20 qershorit për të më përjashtuar. Aty ka përfunduar gjithçka”, ka thënë Osmani.

Largimi i saj duket se është mirëpritur edhe në kryesinë e ngushtë të LDK-së. Për nënkryetarin e kësaj partie, Haki Rugova, se vendimi i saj për largim s’e dëmton këtë parti.

“Ka ndodhë ajo, ka qenë vullnet i asaj. Ajo është larguar dhe s’është më në LDK. Largimi i saj s’e dëmton Lidhjen Demokratike të Kosovës, jo veç ajo, por kushdo që largohet s’e dëmton LDK-në. Nganjëherë e themi në gjuhën popullore ndoshta është hajër. Pra, është vendim i saj”, thotë Rugova për GazetaBlic.

Duke konfirmuar vendimin për largimin nga LDK-ja, Osmani ka përmendur edhe mundësinë e bashkëpunimin me të parin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, gjersa ka potencuar se ky bashkëpunim do të konkretizohet më vonë.

“Ne jemi në kontakt dhe bisedojmë për tema të ndryshme të bashkëpunimit, e se si do të konkretizohet ky bashkëpunim në të ardhmen do t’iu njoftojnë në momentin që do të konkretizohet”, tha ajo.

Gjatë ditës, zyrtarë të shumtë të LDK-së e kanë komentuar këtë vendim ish-kandidates për kryeministre të Kosovës. Ndër ta është edhe i pari i MPB-së, Agim Veliu.

Sipas Veliut, nuk mbahet në mend kur një kryetar/e i Kuvendit të Kosovës e ka ndërruar partinë politike gjatë mandatit në krye të Kuvendit.

“Në historinë̈ e parlamentarizmit demokratik nuk mbahet mend që kryetari i Parlamentit të ketë̈ qenë person jo partiak! Po ashtu, nuk mbahet mend kërcimi i kryetarit të Parlamentit në parti tjera!”, ka deklaruar ai.

Kujtojmë, Vjosa Osmani është shkarkuar nga pozita si nënkryetare e LDK-së dhe anëtare e Këshillit të Përgjithshëm, më 20 qershor të këtij viti, pasi që siç është thënë, Osmani ka dalë kundër vendimeve të kryesisë së kësaj partie./GazetaBlic