Liburn Aliu, deputet i Vetëvendosjes, në një konferencë për media ka folur për pikën e shtatë të marrëveshjes së Washingtonit, e cila ka të bëjë me ndarjen e Liqenit me Ujmanin me Serbinë.

“Sipas këtij dokumenti liqeni do të ndahet, Serbia do të jetë bashkëpronare, apo thënë qartë do të jetë hisedare në Ujman. Pranimi që të diskutohet për pronësinë e Ujmanit është precedent i rrezikshëm që ka për qëllim ndarjen e Kosovës”, ka thënë Aliu.

Sipas tij kjo është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe tri nenet e saj.

“Si do të ndahet ai, si mund të bëhet kjo praktikisht. E dimë se diga është në sipërfaqen e Kosovës, e atëherë si po u ndaka uji i liqenit. A do të zhvendoset diga në territorin e Serbisë? Çka realisht pranoj të ndaj kryeministri Hoti?”, ka thënë Aliu.

Sipas tij Serbia nuk do të ndalet me kaq.

“Sa të kemi Avdullah Hotin, e delegacionin e tij të famshëm, Serbia nuk do të ndalet. Qeveria duhet të bie sa më parë, dhe për këtë jam i bindur se e dinë edhe gjithë partitë e tjera”, ka thënë ai.

Ai ka bërë të ditur se Vetëvendosje është duke punuar që ta dërgojë në Kushtetuese këtë çështje.

“Meqenëse kjo është shkelje Kushtetuese natyrisht se ekipet e juristëve të Vetëvendosjes janë duke e shqyrtuar mundësinë e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese, pra të mblidhet faktet dhe të përpilohet padia”, ka thënë Aliu.