Diskutimi mbi ushqimin bio (biologjik) po fiton rëndësi të veçantë në shoqërinë tonë.
Rritja e aksesit në informacion ka ndikuar pozitivisht në ndërgjegjësimin e shoqërisë mbi krijimin e zakoneve të shëndetshme të të ushqyerit.
Ekziston mendimi se ndjekja e një diete ushqimore të shëndetshme, të bazuar në produkte ushqimore biologjike, është e lidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me rritjen e cilësisë së jetës, së gjithsecilit prej nesh.
Çfarë është ushqimi bio?
Shumë prej nesh mund të mendojnë së produktet bio janë thjesht produkte natyrale, të rritura në ferma dhe pa ndërhyrje kimike.
Kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës.
Që të quhet bio, një produkt ushqimor duhet vërtetë të jetë rritur pa pesticide sintetike, pa hormone të rritjes artificiale, pa antibiotikë, pa plehra kimikë apo modifikues gjenetikë.
Gjithashtu të përpunohet dhe transportohet sipas rregullave e standardeve të lejuara dhe të mirëpërcaktuara nga organizmat përgjegjës.
Produkti bio është produkti natyror, që rritet sipas cikleve specifike natyrore, në një tokë të mirë-trajtuar bujqësore, pa agresorë të huaj, që dëmtojnë përbërjen e produktit, tokën, ambientin dhe sigurisht shëndetin tonë, që jemi konsumatorët fundorë të këtyre produkteve.
Megjithatë, edhe pse produktet organike rriten në përputhje me standarde strikte, eleminimi i plotë i lëndëve të dëmshme është pothuajse i pamundur.
Produktet organike janë gjithsesi të ekspozuar në mënyrë indirekte ndaj kimikateve, nëpërmjet rreshjeve të shiut, apo erës.
Thjesht përqindja e shfaqjes së gjurmëve të këtyre elementeve është shumë herë më e vogël, në krahasim me produktet e tjera, jo organike.
Studimi i Universitetit të Newcastle: Ushqimi bio i pasur në antioksidantë dhe me më pak pesticide
Një studim i drejtuar nga një grup ekspertësh të Universitetit të Newcastle, në Angli dhe i publikuar në British Journal of Nutrition ka dalë në përfundimin se produktet organike përmbajnë 60 për qind më shumë antioksidantë, në krahasim me produktet e tjera.
Studime të ndryshme i lidhin antioksidantët me uljen e rrezikut së shfaqjes së sëmundjeve kronike kardiovaskulare, neurologjike dhe kancerogjene.
Ndër të tjera studiuesit, të cilët analizuan plot 343 raste në Evropë dhe në Amerikë, zbuluan se niveli i metaleve toksike në produktet bio është shumë herë më i ulët, në krahasim me produktet e tjera.
Kadmiumi, një prej tre ndotësve metalikë tepër të rrezikshëm, së bashku me plumbin dhe mërkurin, ishte në nivele 50 për qind më të ulëta në produktet organike, në krahasim me produktet e tjera jo organike.
Një studim i Environmental Health Perspective e lidh ekspozimin me kadmiumin dhe plumbin me humbjen e dëgjimit.
Sipas studimit, koncentrati i nitrogjenit ishte shumë herë më i ulët në produktet organike, në dallim nga produktet e tjera, me shifra që shënonin 10 për qind koncentrat nitrogjeni, 3 për qind nitrate dhe 87 për qind nitrite.
Pra ky studim sugjeron se thjesht duke konsumuar produkte organike, trupi i njeriut do të ketë mundësi të marrë antioksiduesit e nevojshëm dhe të ulë ekspozimin ndaj lëndëve toksike.
Studimi i Panelit të Kancerit, i përzgjedhur nga presidenti i SHBA
Studime të tjera e lidhin përdorimin e produkteve bio, me uljen e ekspozimit ndaj kimikateve, që ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve kancerogjene.
Paneli i Kancerit, i përzgjedhur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përbëhet nga të paktën dy shkencëtare apo mjekë të shquar, në një raport të publikuar në vitin 2010 shkruante se ekspozimi ndaj ndotësve të mjedisit mund të ketë efekt negativ në shëndet.
Këta elementë mund të ndërhyjnë në rrjedhën normale të një varieteti procesesh biologjike dhe ta ndryshojnë atë.
Ata mund të ndryshojnë prodhimin dhe funksionimin e hormoneve dhe mund të kenë ndikim negativ në ADN apo strukturën gjenetike.
Fëmijët mund të ekspozohen ndaj toksinave që kur ndodhen në barkun e nënës, nëpërmejt placentës ose pas lindjes, nëpërmjet ushqimit me qumësht gjiri.
Numri i faktorëve kancerogjenë të njohur dhe atyre të dyshuar është duke u rritur.
Shumë ndotës të mjedisit janë lëndë kimikate sintetike, mbjetje të proceseve industriale, plehrave kimike, pesticideve dhe kimikateve të tjera të përdorura në bujqësi; mbjetje të makinerive që punojnë me naftë, produkte të klorifikimit të ujrave dhe burime radiacioni natyrore apo të krijuara nga njeriu.
Studimi
Ky studim sugjeron përdorimin e produkteve organike.
Në të shkruhet se:
Ekspozimi ndaj pesticideve mund të ulet duke zgjedhur ushqim organik, të rritur pa pesticide apo fertilizues kimikë.
Ekspozimi ndaj antibiotikëve, hormoneve të rritjes dhe lëndëve toksike nga produktet e mishit mund të ulet duke konsumuar mish që është rritur me ushqim natyral dhe pa përdorur këto produkte.
Rezultatet e studimeve tregojnë se ndjekja e një diete ushqimore të shëndetshme, të bazuar në produkte organike, nuk është thjesht një trend i momentit.
Ndërgjegjësimi për rolin e dëmshëm në ambient dhe në shëndetin tonë të substancave, që shpesh herë kemi qenë në që i kemi krijuar, për të nxitur prodhimin dhe për të siguruar ushqimin për popullsinë në rritje, është një hap përpara.
Përdorimi i produkteve organike është zgjidhja dhe zgjedhja e vetme që ne kemi, për të mbrojtur ekuilibrat natyrorë të ekosistemit dhe për të shmangur rrezikun që mund të shfaqet nga dëmtimi i tij./Agroweb