Praktikimi i vaktive të namazit, agjërimi i muajit të shenjtë të Ramazanit dhe pjesëmarrja në aksione humanitare idividuale apo edhe pjesëmarrja në ato të organizuara nga Imamë të Xhamive këtu në Podujevë, janë disa nga veprat që i bëjnë të rinjtë llapjanë muslimanë të devotshëm.

Këtë e ka konfirmuar edhe Imami i Xhamisë “Met Podujeva”, Idriz Bilalli. Ai për Llapi.info ka thënë se është një përfshirje e madhe e të rinjëve që e frekuentojnë xhaminë për namaz apo për të dëgjuar ligjërata fetare.

“Unë jam Imam i kësaj xhamie që nga viti 1991, dhe nga muaji në muaj apo viti në vit ka dalllim në struktutra të xhematit. Por, tash ka shumë më shumë të rinj që vinë në xhami dhe bëhen pjesë e këtyre ceremonive fetare”, ka shtuar Bilalli.

Bilalli ka folur në përgjithësi për praktimin e fesë në  vende të ndryshme, dhe ka thënë se ne veçohemi si komunë nga trevat tjera, sepse e kemi ruajtur islamin tradicional që është islam tolerant dhe parimor.

Imami Idriz Bilalli ka thënë se për shkak se të rinjtë janë të interesuar, në muajin e e shenjtë të Ramazanit janë organizuar edhe ligjerata fetare, ku çdo ditë kanë mbajtur ligjerata gjysëm ore para namazit të drekës.

“Unë jam i kënaqur me të rinjtë dhe përkushtimin e tyre, por droja ime është që këto të rinjë të jenë të kujdesshëm dhe të mos infektohen me ideologji të caktuara që kanë tendenca prej çarqeve të organizuara dhe ofrojnë financim. Ne jemi shumë kritikë dhe mundohemi ta ruajmë islamin tradicional”, ka thënë Bilalli.

Ai poashtu ka bërë të ditur se prej 20 korrikut do të mbahen edhe kurse verore me fëmijë që nga klasa e tretë, në mënyrë që të mësojnë njohuritë elementare për fe.

Gent Jetullahu, 21 vjeçar ka treguar se tash e 10 vite është praktikues i fesë. Ai ka treguar se agjëron në muajin e shenjtë të Ramazanit dhe ndonëse janë temperaturat e larta, ato nuk janë të papërballueshme sa mos me agjëru.

Ai ka shtuar se e viziton xhaminë 3 herë në ditë, jo vetëm në ramazan por rregullisht dhe se në mënyrë vullnetare merr pjesë në aksione humanitare të organizuara nga Imami i Xhamisë.

Jetullahu ka thënë së të rinjtë janë të interesuar për fe, dhe se ata i duan hoxhollarët aktivë.

Sipas tij, duhet rritur numri i imamëve në qytet, sepse ka shumë të rinjë të interesuar si për namaz ashtu edhe për ligjerata fetare, ku numri i nxënësve në kurse verore të organizuara nëpër xhamia arrin deri në 500.

Një tjetër i ri llapjan, Ardiani, 21 vjeçar ka thënë se ndonëse punon gjatë tërë ditës në kuzhinë të një Picerie, ai agjëron.

“Në fillim kam pasur pak vështirësi, por tani jo, jam mësuar” ka thënë Ardiani.

Ai ka shtuar se nuk mund ta vizitojë shpesh xhaminë për shkak të orarit të gjatë të punës.

Gjatë muajit të shenjtë të Rmazanit, gjatë ditës, pothuajse të gjitha kafiteritë janë të boshatisura. Siç mund të shihet edhe në fotot e realizuara nga gazetari i portalit./Llapi.info

Foto  1