Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti janë përplasur sot në distancë me reagime kundër njëri-tjetrit sa i përket shuarjes së Task-Forcës Antikorrupsion.
I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, sot ka dalë kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e kësaj Task-force, gjë kjo që ngjalli reagime të ashpëra me të parin e ekzekutivit.
Pas këtyre përplasjeve, nga analistët politikë kjo po shihet se vazhdimësi e mospajtimeve të krerëve të koalicionit në pushtet, për çka, siç kanë vlerësuar ata, vendi mund të shkojë edhe në zgjedhje të parakohshme.
Për anaslistin Fitim Salihu, pas këtyre përplasjeve, siç ka thënë ai, koalicionit në pushtet i duhet një partner i ri, pasi që sipas Salihut, ky koalicion s’i ka as votat e mjaftueshme për ligje të thjeshta.
“Kjo është një prej pikave ku përplasen partnerët e koaliconit dhe është shenjë e qartë që s’janë në sinkron, e kjo është dukur edhe te çështja e presidentit dhe marrëveshja e Uashingtonit. Pra, kjo e Task-forcës është e radhës, e cila dëshmon se kjo qeveri e ka të vështirë me vazhdu gjatë me këtë. Prandaj, ose i duhet të mirret një partner i ri që eventualisht mund të jetë PDK-ja, ose vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Problemi nuk është vetëm tek mospajtimet, por edhe nëse janë unikë, ky koalicion s’i ka mjaftueshëm votat, e nganjëherë as për ligje të thjeshta, duke mos folur për çështjen e presidentit që duhen 80 sosh. Kështu që, ose duhet një partner i ri në koalicion, ose duhet të ketë zgjedhje të reja”, ka thënë Salihu për GazetaBlic.
Ndërkaq, për analistin Shemsi Jashari, zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë, nuk janë fort larg.
Duke përmendur edhe skandalet e fundit në Qeverinë e Kosovës, Jashari ka deklaruar se vendimet e pamatura, sipas tij, po i shkaktojnë dëme vendit, e që të njëjtat, Jashari ka thënë se duhet të ndalen sa më parë.
“Përplasjet në koalicionin qeveritar janë refleksion i mungesës së bashkëpunimit dhe rivalitetit për dominim në vendosjen e militantëve të vetë në pozita vendimmarrëse, pasi secili tashmë e dinë se kjo qeveri nuk ka jetë të gjatë. Andaj, logjika e tyre thotë se dueht të marrin cka të mundin. Dëshmi e humbjes së kontrollit në qeverisje janë edhe skandalet e fundit të vazhdueshme. Kjo qeveri duhet sa më parë të sharkohet dhe të ndalet katrahura qeverisëse. Secili nga ne tashmë po e sheh se zgjedhjet nuk janë larg dhe e vetmja gjë që po e mbanë këtë qever është moskoordinimi i opozitës, e cila ka rivalitet mes vete. Qeveria Hoti është qeveria më e dobët dhe që ka më së paku kontroll mbi institucionet e vendit”, ka thënë Jashari.
Në anën tjetër, përpasjet mes Hotit dhe Haradinajt kanë nisur pasi ky i fundit, ka thënë se shkarkimi i kësaj task-force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.
“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task-forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.
Hoti iu përgjigj duke thënë sre politika nuk duhet të përzihet në drejtësi dhe këtë e kanë bërë me vendimet që kanë marrë në këta muaj të qeverisjes.
Hoti ka shkruar në Facebook, drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë.
“Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve. Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, ka shkruar ai.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka reaguar edhe njëherë kryeministrin Avdullah Hoti.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar.
“Gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”, ka shkruar Haradinaj.
Duhet potencuar se përplasjet mes krerëve kryesorë të këtij koalicioni kanë qenë edhe më parë, derisa çështja e presidentit ka ngjallur përçarje të thella mes tyre./GazetaBlic