Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka deklaruar se duhet shtuar kujdesin përgjatë këtyre ditëve, kur shifrat me të infektuar janë rritur në Kosovë.
Ai përmes Facebook ka thënë se arsye për rritjen e rasteve mund të jetë hapja e shkollave, por që sipas tij tani ekziston edhe rreziku i barjes së virusit nga shtet fqinje.
“Udhëtimi pa viza mund të jetë edhe një prej arsyeve pse shtetet fqinje kanë më shumë infeksione tani. Keni kujdes këto ditë! Tashmë i dini masat e mbrojtjes. Shkollat po mbyllen në momentin kur më shumë se 5 përqind e stafit janë të infektuar me virus. Kjo po mban numrat në nivel të menaxhueshëm. Nuk kemi nevojë për mbyllje e restriksione shtesë nga qeveria. Kemi nevojë që vatrat të identifikohen dhe të trajtohen”, ka shkruar Ahmeti.
Kryetari i Prishtinës tutje ka thënë se kjo komunë ka më shumë testime gjatë ditës prandaj edhe komunat e tjera, nuk duhet të “relaksohen”, pasiqë si përqindje e testimeve, qëndrojnë në një nivel.
“Kosova duhet të jetë në dilemë në mungesë të hulumtimeve. Para një muaji kemi pas një krizë të madhe dhe numra të lartë në krahasim me fqinjët. Zakonisht kemi qenë 2-3 javë me vonesë në krahasim me shtetet tjera. Kësaj radhe disa po shpresojnë se krizën që tani tjerët po e kalojnë e kemi kaluar para një muaji”, ka potencuar tutje ai.