Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, po paralajmëron se në bazë të rritjes së rasteve pozitive me COVID-19, pas shtatë apo dhjetë ditësh, në Kosovë do të ketë krizë.

Ahmeti ka shkruar se bazuar në lidhshmërinë e Kosovës me Maqedoninë e Veriut dhe vendet tjera të regjionit në të cilat ka nisur vala e dytë e koronavirusit, kjo mund të ndodhë shpejt edhe në vendin tonë.


“205 KS – 111 Pr. Maqedoni me 600 ne ditë e shtetet e regjionit me valë të re. Duke marr parasysh lidhshmërinë tonë me këto shtete kriza na pret edhe 7-10 ditë. Kujdes me maska ju lutem!”, ka shkruar Ahmeti në Twitter.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë shënuar 205 raste të reja me koronavirus, kanë vdekur 3 persona, ndërkaq janë shëruar 62.

Numri total i rasteve pozitive ka shkuar në 18 mijë e 148, nga gjithsej 88 mijë e 90 mostra të testuara që nga fillimi i shfaqjes së rasteve të para me koronavirus në Kosovë.

Deri më tani janë shëruar 15 mijë e 150 persona, derisa raste aktive janë 2 mijë e 332.

Prishtina po vazhdon të ketë më së shumti raste pozitive me koronavirus.

Vetëm sot në kryeqytet janë konfirmuar 111 raste të reja.

“Rastet pozitive janë nga komuna Prishtinë 111 raste, komuna Gjilan 18 raste, komuna Gjakovë 13 raste, komuna Ferizaj 10 raste, komuna Pejë 10 raste, komuna Fushë Kosovë 6 raste, komuna e Lipjan 6 raste, komuna Obiliq 6 raste, komuna Kllokot 4 raste, komuna Prizren 4 raste, komuna Viti 3 raste, komuna Deçan 2 raste, komuna Drenas 2 raste, komuna Malishevë 2 raste, komuna Podujevë 2 raste, komuna Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Kamenicë, Rahovec dhe Skenderaj”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.