Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, e cila udhëhiqet nga Agim Veliu, reagon ashpër ndaj, siç thuhet në një komunikatë të kësaj dege, “deklaratave fyese dhe me tendencë denigruese të Organizatave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të bëra ndaj figurës së Presidentit Historik të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, me rastin e nderimit që i bëri Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, duke e cilësuar person me kontribut të veçantë në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës”.

“Përfaqësuesit e OVL-ve të UÇK-së e kanë humbur arsyen dhe çdo ditë e më tepër po dëshmojnë se misioni i tyre nuk është ruajtja e vlerave të luftës dhe mbrojtja e interesave të personave të këtyre kategorive, por hapur po dëshmohen si organizatë përfituese dhe denigruese ndaj personaliteteve që tërë jetën ia kushtuan çështjes kombëtare dhe ndërtimit të shtetit të Kosovës”, thuhet në këtë reagim.

“Përfituesit e luftës, në emër të OVL të UÇK, madje i japin të drejtë vetes që të kritikojnë edhe Presidentin e shtetit shqiptar, i cili me rastin e 7-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës e vlerësoi Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova si person me kontribut të veçantë në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës”, thuhet më tej në këtë reagim.

LDK, dega në Podujevë, më tej thekson se “se sa të ulët dhe mjeranë janë ata që sot thonë se përfaqësojnë OVL të UÇK-së, tregon edhe fakti se ata nuk e marrin guximin as ta thërrasin me emër Presidentin Rugova, nismëtarin e procesit të pavarësisë së Kosovës, të cilën ai e futi në agjendën e kancelarive vendimmarrëse botërore, Washington, Londër, Berlin e Bruksel, atëherë kur ndaj popullit të saj ushtrohej represion i paparë nga pushtuesi serb”.

“Përfituesve të OVL-ve të UÇK-së përfitimet e mëdha në emër të luftës ua kanë humbur arsyen dhe të gjykuarit drejt për figurat më meritore në procesin e pavarësisë dhe shtetndërtimit”.

“Për figurën Ibrahim Rugovës kanë folur shumë personalitete botërore, por me këtë rast po citojmë Presidentin Nishani, i cili në ceremoninë e organizuar me rastin e ndarjes së dekoratave për 7-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës e vlerësoi Presidentin historik të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugova si person me kontribut të veçantë në luftën për çlirim dhe pavarësi të Kosovës”.

“Historianëve u përket që ta bëjnë vlerësimin, por, le të më lejohet edhe mua ta konsideroj unike në historinë e re botërore edhe filozofinë politike dhe vizionaritetin e strategjisë çlirimtare të Dr. Ibrahim Rugovës, i cili ia imponoi njerëzimit doktrinën e re të mposhtjes së robërisë, duke u përcaktuar për ‘luftën paqësore’ për çlirim me porosinë për ‘mbrojtjen e pragut të shtëpisë’ që koha e vërtetoi se ishte çelësi efikas për realizimin e kauzës kombëtare të Kosovës”, tha ndër të tjera Presidenti Nishani në ceremoninë e organizuar në Presidencë.

Dega e LDK –së në Podujevë, konsideron se kjo mendësi që përfaqësohet nga përfituesit e luftës, OVL-të e UÇK-së, i takon të së kaluarës dhe si e tillë është sa primitive, aq edhe e mjerë.

Raporton Koha