Është rritur dukshëm numri i rasteve aktive me virusin korona në Podujevë, raporton Llapi.info.
Vetëm gjatë 24-orëve të fundit, në të komunë janë regjistruar plot 18 raste pozitive për COVID-19. 4 prej tyre janë në qytet, dy në fshatin Letanc dhe Dumosh dhe me nga një rast në fshatrat; Gllamnik, Lladoc, Lupç i Poshtëm, Obrançë, Pakashticë e Poshtme, Revuçë, Sallabajë, Shajkoc, Shtedim dhe Siboc i Epërm.
Se që është rritur numri i personave aktivë me koronavirus e ka konfirmuar për Llapi.info edhe epidemiologia e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Podujevë, Bedrie Rama.
“18 raste të reja janë konfirmuar sot në Podujevë. Me këto raste, aktualisht numri i personave aktivë me koronavirus ka arritur në 92. Kurse, sot janë marrë 49 mostra, derisa 106 qytetarë gjithsej janë në pritje të rezultateve nga IKSHPK”, ka thënë Rama për Llapi.info.
Epidemiologia e vetme në Podujevë ka deklaruar se deri më tani 22 banorë të Podujevës kanë humbur jetën, e që të njëjtit kanë qenë pozitivë me virusin korona.
Sipas saj, gjendja në shkollat e kësaj komune vazhdon të jetë stabile.
Rasti i parë në Llap ishte konfirmuar më 15 mars, derisa edhe viktima e parë në Kosovë, sipas IKSHPK-së, ka qenë nga po ky rajon.
Që nga fillimi i pandemisë janë testuar rreth 2800 persona nga Podujeva. Prej tyre, mbi 700 llapjanë kanë rezultuar pozitivë, ndërkohë që mbi 600 tashmë janë shpallur të shëruar.
Në anën tjetër, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka raportuar të enjten për 284 persona të infektuar me koronavirus.
Sipas njoftimit të IKSHPK-së, gjatë 24 orëve të fundit është shënuar 1 vdekje nga sëmundja COVID-19, derisa numri i viktimave ka arritur në 674.
Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit janë shëruar edhe 72 pacientë ndërsa raste aktive janë 2.869.
Prej mesit të muajit mars, kur edhe janë konfirmuar rastet e para, janë infektuar 18.910 persona, prej të cilëve 674 kanë vdekur, ndërsa 15.367 janë shëruar./Llapi.info