Pas rritjes të shifrave të të prekurve me koronavirus, Ministria e Shëndetësisë gjatë mëngjesit të së shtunës mblodhi Komitetin për Vlerësimin dhe Koordinimin e Situatës Epidemiologjike.
Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, pas këtij takimi, tregoi për masat e reja anti- COVID që do të hyjnë në fuqi nga dita e hënë.
Edhe kësaj radhe sektori i gastronomisë u kufizua sa i përket orarit të punës. Të gjitha qendrat tregtare dhe veprimtaritë e gastronomisë do të mbyllen nga ora 21:00 deri në orën 05:00.
Ndonëse kufizim të lëvizjes për qytetarët nuk do të ketë, për një moshë të caktuar ka.
“Personave mbi moshën 65 vjeç u lejohet dalja jashtë shtëpisë nga ora 06:00-10:00 dhe nga 16:00-19:00. Personat me sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 60 vjeçare lirohen nga paraqitja në punë/punojnë on-line nga shtëpia”, tha Zemaj.
Këto masa dhe të tjera do të shqyrtohen pas dy jave për t’i analizuar efektet e dhëna në raport me situatën në vend.