Llapi ka pësuar humbje në “Zahir Pajaziti” nga Drita me rezultat 1-2, në duelin e vlefshëm për javën e dhjetë në Superligë, raporton Llapi.info.

Pas kësaj humbjeje, e cila u përcoll me akuza të shumta në drejtim të gjyqtarëve, ka reaguar edhe tekniku llapjan, Tahir Batatina.

“Kush duhet të merr masa apo skuadra e Llapit dhe Qyteti i Podujevës po e pengon dikë vetëm pse kemi bërë organizim të mirë!!!!! Krim të investohet në Kosovë. Krimi e ka kapluar gjithçka, kam shpresuar se tek rina dhe e ardhmja e vendit mos të ndodhë por edhe këtu është fut thell në zemër të futbollit !!!! KRIM DHE MASAKRIM NDAJ SKUADRËS TONË”, ka shkruar ai në Facebook.

Golin për Llapin e realizoi Valmir Veliu (9’), ndërkohë që ishte Almir Ajzeraj ai që barazoi për 1 me 1, kurse Ahmed Januzi shënoi auto-gol në portën e tij për t’i dhënë fitoren skuadrës së Ardian Nuhiut.

Pas humbjes së pësuar, ndihmës – trajneri i Llapit, Sunaj Keçi, ka akuzuar gjyqtarët e ndeshjes për mosrefrim të rregullt, derisa ka shtuar se nuk mund të luftohet ndaj 14 lojtarëve.

“Ne nuk mund të përballemi me 14 lojtarë, sepse edhe referat kanë qenë me Dritën sot. Kjo është një padrejtësi e madhe ndaj nesh, gjyqtarët po ofrojnë drejtësi selektive ku 6 ose 7 gjyqtarë që na vijnë çdo javë dhe bëjnë padrejtësi të madhe ndaj nesh”, deklaroi Keçi pas ndeshjes./Llapi.info