Rritja e rasteve me koronavirus në gjithë Evropën ka vënë në dyshim mbajtjen e ngjarjeve sportive të planifikuara për dy muajt e fundit të vitit. Të rrezikuara janë edhe disa gara të xhudos. Por në fundjavë kryetari i Federatës Evropiane të Xhudos, Sergey Soloveychik, ka konfirmuar se Evropiani i xhudos për seniorë do të mbahet ashtu si është planifikuar, prej 19 deri më 21 nëntor në Pragë të Çekisë.

Ky lajm është mirëpritur edhe nga xhudistët kosovarë. Pas muajve të tërë me stërvitje e pa gara, ata janë kthyer në tatami në Grand Slamin e Budapestit, muajin e kaluar. Medalje fituan Distria Krasniqi e Loriana Kuka, ndërsa gara më shumë shërbeu për të testuar formën dhe si përgatitje për Evropianin.

Për shkak të pandemisë janë shtyrë Lojërat Olimpike, ndërsa Botërori, me gjithë paralajmërimin, nuk do të mbahet. Kështu që Evropiani mbetet gara e vetme e madhe për këtë vit.

“Me gjithë situatën e vështirë në Evropë, e sidomos në Çeki, që ka rezultuar me valë të re të infeksionit, Komiteti Ekzekutiv i EJU-së ka vendosur të mbajë Kampionatin evropian për seniorë. Ne kemi vendosur kështu për shumë arsye. Lojërat Olimpike mbahen vitin tjetër dhe ne jemi të obliguar të përgatisim sportistët evropiane për ngjarjen kryesore të jetës së tyre. Kjo është e pamundur pa pjesëmarrje në gara të nivelit më të lartë. Po ashtu, ne marrim shembull nga organizimi i Grand Slamit në Budapest. EJU-ja së bashku me Federatën çeke janë të gatshme për të ofruar siguri për të gjithë pjesëmarrësit”, ka shkruar Soloveychik, ndër të tjera.

Në Evropian, Kosovën pritet ta prezantojë një ekip më i madh. Distria Krasniqi e Loriana Kuka vlerësohen pretendente për medalje, pas suksesit në Budapest. Por edhe Nora Gjakova e Akil Gjakova pretendojnë medalje, ndërsa ndonjë tjetër xhudiste synon të bëjë befasi. Majlinda Kelmendi nuk pritet të marrë pjesë.

Në Evropian pritet të garojnë edhe Laura Fazliu, Flaka Loxha dhe japonezi i natyralizuar, Shigeki Nakamura.

Distria Krasniqi vjet nuk arriti peshën për të garuar në Lojërat Evropiane, që në xhudo shërbyen edhe si kampionat evropian. Dy vjet më parë ajo fitoi medaljen e argjendtë evropiane. Vjet ishte e treta në botë dhe po kalon formë kulmore.

“Jam shumë e kënaqur me paraqitjen në Budapest, sidomos që jam kthyer me medaljen e artë pas gjithë asaj pauze, pra 8 muaj nuk kam garuar. Jam shumë e kënaqur dhe shpresoj që kështu do të vazhdojë deri në Kampionatin e Evropës. Kur shkoj në gara zakonisht synoj me qenë medaliste. Nëse shkon gjithçka si duhet, atëherë e shoh veten që ka me qenë në finale dhe pse jo edhe medaljen e artë”, ka thënë Krasniqi për KOHËN. Ajo garon në kategorinë deri 48 kilogramë.

Edhe më gjatë ka pauzuar Loriana Kuka. Ajo vjet fitoi medalje të bronztë në Lojëra Evropiane e më pas edhe në Botëror, për vitin bindshëm më të suksesshëm në karrierë.

Medalje të bronztë Loriana fitoi edhe në Grand Slamin e Budapestit. Medalje tjetër synon në Evropian. Ajo garon në kategorinë deri 78 kilogramë.

“Jam e kënaqur pasi që një vit nuk kam marrë pjesë në gara. Kam qenë me shumë emocione dhe nuk e kam ditur as vetë se si ka me qenë përsëri me hy në gara, kështu që jam e kënaqur. Jam e kënaqur, por gjysmëfinalja më ka zënë pa pritë, por gabimet që i bën gjithë mundesh me i përmirësuar. Sivjet në Kampionatin Evropian, synimi im është medalja, pasi e kam fituar edhe vitin e kaluar, kështu që fokusohem me qenë në formë edhe në Evropian”, ka theksuar Loriana Kuka.