Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit serb të Mbrojtjes se në Serbi do të arrijnë tridhjetë tanke si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, raporton Express

Përmes një komunikate për media, MPJD deklaron se armatosja e vazhdueshme e Serbisë nga ana e Rusisë është kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin rajonal.


Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), e ka përcjellë me shqetësim deklaratën e ministrit të ri serb të Mbrojtjes, i cili deklaroi se “tridhjetë tanke T-72 do të arrijnë në Serbi, si pjesë e marrëveshjes Vuçiq-Putin, të arritur në Soçi”.

“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë nga ana e Rusisë është kërcënim i qartë për të gjithë rajonin, duke e ditur të kaluarën e rëndë kriminale të Serbisë dhe përpjekjet për të vazhduar politikën e saj të shekullit të kaluar prej agresori në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në reagimin e MPJD’së.

“Ky armatim i radhës i Serbisë, vjen menjëherë pasi që Rusia njoftoi hapjen e një zyre të saj në Ministrinë e Mbrojtjes së Serbisë, në përpjekje për t’i thelluar lidhjet ushtarake dhe koordinim të plotë ushtarako-teknik në mes të dy vendeve”, thuhet tutje në reagim.

MPJD thotë se edhe pse Serbia synontë bëhet pjesë e BE’së, në vazhdimësi po luan rol krejtësisht të kundërt.

“Edhe pse deklarativisht Serbia mëton se dëshiron të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo në vazhdimësi është duke luajtur një rol krejtësisht të kundërt, duke zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe Bjellorusinë, madje është raportuar për pjesëmarrjen e forcave të rregullta ushtarake serbe (përfshirë snajperistë) në Bjellorusi. Ushtarët e Serbisë janë parë të përfshirë aktivisht edhe në konfliktin në Ukrainë dhe ka njoftime për përfshirje të mundshme të tyre edhe në konfliktin Azerbajxhan-Armeni”, thuhet në reagimin e ministrisë.

Ministria e Jashtme dhe e Diasporës deklaron se sjellja destruktive dhe e rrezikshme e Serbisë duhet të dënohet dhe parandalohet.

“Prania e NATO-s në Kosovë dhe anëtarësimi i shteteve të rajonit në këtë organizatë, i kanë kontribuuar sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal. Kjo i pengon Serbisë dhe Rusisë, të cilave nuk u konvenon stabiliteti, siguria dhe paqja në rajon. Prandaj, e gjithë kjo sjellje destruktive dhe e rrezikshme e Serbisë, duhet të dënohet dhe parandalohet, para se të jetë shumë vonë”, thuhet në reagim.