Shpat Balaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një prononcim për “Gazeta Blic” thotë se pas sulmeve terroriste në Evropë, institucionet e vendit, e kryesisht ato të sigurisë duhet të jenë nivel gadishmërie për parandalimin e ndonjë sulmi potencial.

Balaj thotë se megjithëse deri tani nuk ka patur indikacione se Kosova është target i ndonjë sulmi, ai thekson se duhet të bëhet një vlerësim i rrezikut të personave të kthyer nga Siria.“Deri më tash institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë kanë qenë tejet efektive në parandalim të përhapjes së ekstremizmit të dhunshëm në vend dhe aktet potenciale terroriste gjatë viteve. Ndonëse është evidente që edhe në Kosovë ka përkrahës të grupeve të ndryshme terroriste dhe është një kategori që në vitet e kaluara edhe kanë participuar drejtëpërdrejtë në ato grupe, jo domosdoshmërisht mund të ketë sulme terroriste në Kosovë.

Megjithatë, kjo është një mundësi që nuk duhet përjashtuar dhe duke marrë parasysh sulmet e fundit në Evropë institucionet e vendit, me theks në ato të sigurisë, duhet të jenë në nivel gatishmërie dhe të aktivizojnë kapacitetet e tyre për parandalimin e ndonjë sulmi potencial”

“Deri tash nuk ka pasur indikacione që Kosova është target potencial i ndonjë sulmi, megjithatë që prej shuarjes së të ashtuquajturit “Shteti Islamik” dhe humbjes së territorit në Siri, strategjia e tyre është orientuar në akte të dhunës në vendet e origjinës të anëtarëve të grupit. Andaj, duke pasur parasysh që një numër i caktuar i qytetarëve të Kosovës në periudhën 2012-2016 kanë participuar në këtë konflikt është e nevojshme të bëhet një vlerësim i rrezikut në baza individuale për individët potencialisht të radikalizuar në vend dhe të shtohen masat e monitorimit tek individët që mund të paraqesin rrezik dhe shfaqin indikacione të radikalizimit”Tutje Balaj shton se megjithëse Kosova i ka të gjitha kapacitet e mundshme për luftimin e këtij fenomeni, duhet më shumë komunikim mes institucioneve.
“Sa i përket kapaciteteve besoj që Kosova ka njohuri dhe kapacitete të mjaftueshme për luftimin e fenomenit, megjithatë fokusi duhet të jetë në parandalim. Në këtë drejtim duhet të ketë më shumë komunikim mes institucioneve të ndryshme, shtim të prezencës së institucioneve të sigurisë ne vendet kyqe në vend dhe ngritje të vetëdijes së përgjithshme si për mbrojtje nga radikalizmi potencial, ashtu edhe për mos-stigmatizim të komuniteteve të caktuara si pasojë e sulmeve në Evropë”

Mbrëmjen e djeshme Vjena u godit nga një sulm terrorist ku humbën jetën pesë persona.Ditë më parë edhe Franca përjetoi një sulm të ngjashëm duke rritur pasigurinë në vend