Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë reaguar pas bastistjeve që ka kryer sot Zyra e Prokurorit të Specializuar në disa lokacione në Prishtinë. Në mesin e lokacioneve që është bastisur është edhe shtëpia e Jakup Krasniqit, një prej figurave kryesore të UÇK’së, raporton Express.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, këto organizata kanë thënë se janë duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës që skadimin e mandatit të kësaj gjykate ta dërgojnë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, reagojnë ndaj spektakleve që bëhen me anë të bastisjeve të pjesëtarëve të UÇK-së dhe konsiderojnë se çdo veprim i Gjykatës Speciale, jashtë mandatit të saj, është i kundërligjshëm dhe kundërkushtetues. Ne si Organizata jemi duke punuar me deputetët e Kuvendit të Kosovës që skadimin e mandatit të kësaj gjykate ta dërgojmë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe, Policia e Kosovës është duke asistuar në aksionin që po zhvillon Zyra e Prokurorit të Specializuar në disa lokacione në kryeqytet.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.
“Policia e Kosovës, sipas nevojës, vlerësimeve dhe kërkesës së EULEX-it, iu asiston në ruajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike si dhe mbarëvajtjes së trafikut”, ka thënë Kelani për Express.
Se po kryhen bastisje në disa lokacione në kryeqytet e ka konfirmuar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Megjithatë, nuk kanë dhënë më shumë informacione.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në njoftim.