Që nëntë orë është duke vazhduar bastisja në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shkruan Gazeta Metro.
Bastisja në shtëpinë e tij ka filluar qysh në 05:30 dhe po vazhdon ende dhe janë bërë nëntë orë që kur ka filluar bastisja në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Një bastisje e tillë është quajtur e panevojshme dhe traumatike për familjen Krasniqi. Ndryshe, bastisjet në shtëpitë e Krasniqit i ka konfirmuar edhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Përmes një njoftimi drejtuar mediave, ZPS’ja ka bërë me dije se këto operacione po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
“Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë. Operacionet e ZPS-së po kryhen me mbështetjen e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Më shumë informacion do të jepet më vonë”, thuhet në njoftim.