Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i përlotur ka folur në një konferencë për media pas arrestimit dhe nisjes së anëtarit të kësaj partie, Jakup Krasniqit për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Limaj ka thënë se s’ka pasur nevojë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me forca aq të mëdha policore, shkruan Gazeta Express.


“Ne mendojmë që kanë qenë tërësisht të panevojshme skenat e tilla. Angazhimi shumë forcave policore ka qenë në disproporcion me nevojën. Nëse ka qenë e nevojshme për drejtësinë, ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasë nevojë për përforcime të tilla, t’i shkohet në 6 të mëngjesit të futet në shtëpi në këtë kohë COVIDI, pa pasë nevojë t’i traumatizojë familjen. Por thjesht duke e njohur personalitetin e Jakup Krasniqit, kjo ka mundur të bëhet në mënyrë krejt tjetër”, ka thënë Limaj.

“Është arrestuar ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi me urdhër arrest të Dhomave të Specializuara dhe është përcjellur për në Hagë. Ne si Nismë gjithmonë kemi qenë pa ekuivoke dhe pa kompromis në shërbim të drejtësisë. Kemi qenë gjithmonë në interesat e drejtësisë”, ka theksuar Limaj.

Valon Hasani, avokat i Jakup Krasniqit paraprakisht ka njoftuar se klienti i tij është arrestuar me urdhër të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe se është nisur tashmë për në Hagë.

Hasani ka deklaruar se Krasniqi se nuk ka pasur fletëarrest deri sot, kur edhe i është dorëzuar fletarresti dhe urdhëri për bastisje.

Ndryshe, bastisja në shtëpinë e tij në Prishtinë kishte filluar qysh në orën 6:30 të mëngjesit, dhe ka zgjatur deri rreth orës 16:00. Operacioni është zhvilluar edhe në vendlindjen e Krasniqit, në fshatin Negrovc të Komunës së Drenasit.