Deputeti i VV-së, Fitim Haziri ka reaguar pasi shefi i grupit parlamentar të këtij subjekti politik, Rexhep Selimi ka bërë të ditur se i është konfirmuar një aktakuzë nga Gjykata Speciale.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Haziri ka thënë se Selimi Ka qenë njëri ndër mbrojtësit më të mëdhenj të UÇK-së.
“Ke qenë, je dhe do të mbetesh njëri ndër mbrojtësit më të mëdhenj të luftës dhe vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Qofsh faqebardhë”, ka shkruar sipër një fotografie krah Selimit.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Rexhep Selimi ka bërë të ditur se Gjykata Speciale ka konfirmuar një aktakuzë ndaj tij.
“Sonte në orët e mbrëmjes jam njoftuar nga Dhomat e Specializuara se ka një aktakuzë të konfirmuar për mua. Prandaj, po e ndjej për obligim t’ju njoftoj se nesër do të udhëtoj për Hagë (Holandë) që të përballem me këtë sfidë që i është vënë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, para së gjithash”, ka shkruar ndër të tjerash.