ur se është tërhequr nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces.
Veseli në një deklaratë për media theksoi se nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon.
“Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, shkruan Veseli.
Kjo është deklarata e plotë e Veselit:
Dje pasdite, jam informuar nga Zyra e Prokurorit të Dhomave të Specializuara se gjyqtari i procedurës paraprake ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Përmes kësaj deklarate, dua t’i informoj qytetarët e Kosovës se kam bërë aranzhimet e nevojshme për të udhëtuar vullnetarisht drejt Hagës në mënyrë që t’iu përgjigjem këtyre akuzave. Nuk do të komentoj më shumë kësaj radhe.
Jam i vetëdijshëm se ka njerëz në Kosovë që mendojnë se Dhomat e Specializuara janë një fyerje e luftës sonë historike për të mbrojtur popullin e Kosovës nga krimet e regjimit të Millosheviqit. Por unë nuk e shoh në këtë mënyrë, unë e shoh si një mundësi që më në fund të përgjigjem ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të rrejshme të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është arsyeja që unë e kam përkrahur themelimin e këtij tribunali, dhe kjo është arsyeja që unë tani jam i gatshëm që të luaj rolin tim në këtë proces.
Më shumë se njëzet vite kanë përfunduar që nga përfundimi i luftës çlirimtare. Kosova tani është një shtet i pavarur, dhe është në rrugën e sigurt për tu bërë anëtar i Kombeve të Bashkuara. Pasi që aspirojmë që të trajtohemi si partner të barabartë me shtetet e tjera, liderët tanë politikë duhet të jenë në lartësinë e kësaj sfide dhe të sillen si burrështetas të kalibrit ndërkombëtar. Kur liderët e përveçëm thirren për të bashkëpunuar me një tribunal ndërkombëtar, ne duhet të veprojmë kështu pa hezitim. Edhe nëse ka akuza të bëra kundër nesh, atyre ju duhet dhënë përgjigja në mënyrën e duhur, me faktet e së vërtetës. Unë këtë jam duke e bërë.
Unë kam besim të plotë në objektivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve, dhe kërkoj nga të gjithë në Kosovë që të tregojnë gjithmonë respektin e duhur për autoritetet e drejtësisë. Ky proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta. Nuk ka asnjë arsye për të pasur frikë nga e vërteta. Nuk duhet ndërmarrë asnjë përpjekje për të minuar punën e tribunalit, e as për të penguar dhe ndërhyrë në ndonjë mënyrë në këtë proces. Gjykata duhet të lejohet të kryej detyrën e rëndësishme që ne i kemi besuar. Integriteti i këtij procesi duhet të respektohet në çdo kohë dhe nga çdo kush. Drejtësia nuk i shërben interesit të njërës anë apo tjetrës, por i shërben interesit të popullit. Prandaj nëse ju kërkohet që të ndihmoni Dhomat e Specializuara, ju lutem pranojeni pa hezitim. Në këtë mënyrë, ne të gjithë do ia dalim të arrijmë tek e vërteta. Prandaj, do të kërkoja nga të gjitha segmentet e shoqërisë tonë që të përballen me këtë situatë me qetësi dhe dinjitet, të bindur se gjyqtarët do të japin një verdikt të drejt në fund të procesit.
Ju lutem të keni parasysh se ky tribunal u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për të shërbyer në emër të popullit. Ajo është mishërimi i parimit se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, dhe nuk mund të ketë drejtësi pa paqe. Edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Nuk duhet të ketë asnjë hatër mbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal. Ata janë duke bërë punën që populli i Kosovës ka kërkuar që ta bëjnë. Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund.
E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të pa dinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes. Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqendrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike.
Për të mirën e kombit, nganjëherë duhet të bëhen edhe sakrifica personale. Shumë nga njerëzit tashmë kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Shumë prej tyre kanë bërë edhe sakrificën sublime. Procesi që po fillon para Dhomave të Specializuara është hapi i fundit në rrugëtimin tonë historik drejt shet ndërtimit të plotë. Duhet konsideruar si një mundësi për të vënë në dukje se ne kemi bërë një luftë të drejt dhe të pabarabartë, dhe e kemi bërë këtë luftë në mënyrë të ndershme.
Edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre. Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni. Unë jam i bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojnë të gjitha faktet, kanë për të konkluduar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme. Pa struktura formale për të mbrojtur popullsinë civile kundrejt një masakre ushtarake gjenocidiale të planifikuar me kujdes prej forcave serbe. Sot, në nderim dhe përkujtim të më shumë se 10 mijë viktimave të pafajshme të regjimit të Millosheviqit, ne duhet të ngrihemi në këmbë dhe të tregojmë historinë tonë. Unë do ngrihem në këmbë të tregoj historinë time. Në duhet të ngrihemi për të treguar historinë e tyre. Ne duhet t’i qartësojmë të gjitha faktet, në mënyrë që historia ta njeh të vërtetën.