Lëvizja Vetëvendosje ka listuar shkeljet e shumta, të cilat sipas VV-së, i ka bërë qeverisja e LDK-së në Podujevë për 20 vjet rresht, shkruan Llapi.info.
Sipas VV-së, gjatë kësaj periudhe, keqqeverisja vërehet në secilën sferë.
“Dështimet e qeverisjes komunale tash e 20 vjet në Besianë lehtë identifikohen sepse janë të qarta, por jo aq lehtë listohen sepse janë të panumërta. Ato janë të dukshme në secilën sferë të komunës sonë; prej fushës së arsimit dhe shëndetësisë për shkak të investimeve të pakta dhe punësimeve partiake e familjare, ndotjes së mjedisit për shkak të neglizhencës, cilësisë së dobët në infrastrukturë për shkak të keqpërdorimeve, mungesës së hapësirave sportive për të rinjtë për shkak të mosinteresimit për rininë, deri të mbyllja e bibliotekës për shkak se nuk kanë ndjeshmëri ndaj edukimit dhe arsimimit, e shpenzimet e papërgjegjshme të parasë publike në naftë e benzinë, telefon e shërbime të tjera vetëm sepse munden”, thuhet në komunikatë.
“Këto ndërprehen me qeverisjen tonë dhe me profesor Shpejtim Bulliqin kryetar të Besianës. Ato do t’i takojnë të kaluarës sepse me kryetarin Bulliqi ato nuk do të ndodhin. Qeverisja komunale e Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të jetë e hapur dhe e përgjegjshme për qytetarët e Besianës, si dhe punën e saj do ta bazojë në nevojat dhe interesat e tyre. E profesori Bulliqi e ka bindjen, guximin dhe vullnetin për kapërcimin e madh e të nevojshëm për komunën tonë të Besianës”, thuhet tutje.
Ndryshe, Zgjedhjet për kryetar të Komunës së Podujevës vijnë pasi ish-kryetari i kësaj komune, Agim Veliu dha dorëheqje për t’u emëruar si Ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. Ky vendim çoi Podujevën në zgjedhje të jashtëzakonshme
Në garë për të parin e Podujevës janë Shpejtim Bulliqi(VV), Nexhmi Rudari (LDK) dhe Naim Fetahu (PDK)./Llapi.info