Numri i rasteve ditore në Komunën e Podujevës sa vijnë e shtohen. Vetëm dje dhe sot janë regjistruar 61 raste, ndërkohë që të dielën u shënua numër rekord i të infektuarve brenda një dite, shkruan Llapi.info.

Me këto raste, tashmë kjo komunë vazhdon të jetë në zonë të kuqe me numrin më të madh të rasteve aktive në Kosovë. Aktualisht janë mbi 200 raste, gjë kjo që ndikoi për futjen në karantinë përgjatë vikendit. Pikërisht ky numri i madh i rasteve aktive, pritet të ndikojë që të ketë sërish masa shtesë në parandalimin dhe luftimin e COVID-19.

Por, komunarëve as që po iu bëhet vonë me këto shifra alarmante. Komuna e Podujevës, në këtë kohë kur rastet janë dukshëm në numër të lartë, sot ka organizuar një tjetër tubim me qytetarë. Aty, siç thuhet në kumtesën komunale, u organizua një takim me fermerët përfitues të linjave për prodhimin e ushqimit të koncentruar (mullinj), me ç’rast u nënshkruan 50 kontrata për fermerët përfitues.

Madje, Komuna e Podujevës s’i ka përfillur as masat e vendosura ditë më parë nga Qeveria e Kosovës.

“Ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 5 personash në sheshe publike, parqe dhe vende të tjera publike, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim;Ndalohen të gjitha tubimet publike, përfshirë seminaret, punëtoritë, dasmat dhe ahengjet familjare, si dhe çfarëdo forme tjetër organizimi ku ka grumbullim të njerëzve, përjashtimisht për rastet e lejuara me këtë vendim”, është njëra nga masat që janë vendosur ditë më parë, pas rritjes së rasteve ditore të të infektuarve me COVID-19.

E në lidhje me këtë, një tubim me qytetarë s’u lejua ditë më parë nga Komuna e Podujevës, për të cilin kanë reaguar opozita dhe shoqëria civile.

Në të njëjtin takim, do të diskutohej rregulloreje për organizimin dhe zgjedhjen e kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve urbane. Këtë rregullore në Kuvend e pezulloi partia që udhëheq me Komunën, LDK.

Për këtë,  drejtori i rrjetit të OJQ-ve “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari ka akuzuar Komunën e Podujevës për bllokimin e kësaj rregulloreje, me të cilët kryetarët e fshatrave do të zgjidheshin në mënyrën e duhur.

Sipas Jasharit, Komuna e Podujevës po i mbanë tubimet tjera, ndërkohë që siç ka deklaruar ai, vetëm për këto debate ekziston pandemia e koronavirusit.

“Derisa për projekte ku iu konvenon politikisht mbahen debate publike pa problem nga të njëjtit pandemia s’është problem. Kemi pasur disa raste të tilla këto dy javët e fundit, pasi e refuzuan rregulloren me arsyetim se s’mund të mbahen debate publike”, ka thënë ai ditë më parë për Llapi.info.

Të njëjtin mendim e kanë edhe dy partitë e mëdha opozitare në Podujevë, VV dhe PDK.

Ata kanë akuzuar komunën e Podujevës se po organizon tubime tjera për qëllime politike në kohë fushate, ndërkohë që sipas tyre, po e bllokon zgjedhjen në mënyrë transparente të krerëve të fshatra, lagjeve dhe vendbanimeve në Podujevë./Llapi.info