Disfata që Kosova e pësoi të mërkurën nga Shqipëria në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena”, ishte e shtata në nëntë ndeshjet e fundit për “dardanët”. Kjo është hera e parë që Kosova në periudhën e përzgjedhësit Bernard Challandes prek numrin e nëntë dueleve radhazi pa arritur të shënojë fitore.
Përveç rezultateve negative, edhe atmosfera brenda kampit kosovar nuk po duket të jetë e mirë. Të paktën kështu vlerësojnë analistë të futbollit. Ka kaluar më shumë se një vit qëkur për herë të fundit festuan “dardanët”. Fitorja e fundit u arrit më 14 tetor 2019 kundër Malit të Zi në “Fadil Vokrri” në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2020”, cikël që Kosova e përfundoi në vendin e tretë.
Ecuri, afërsisht të ngjashme, përfaqësuesja kishte edhe në kohën kur përzgjedhës ishte Albert Bunjaki, por rrethanat ishin krejt ndryshe. Në ndeshjet kualifikuese për Kampionatin Botëror të vitit 2018, Kosova kishte pësuar nëntë humbje radhazi dhe një barazim, në periudhën prej 5 shtator 2016 deri më 9 tetor 2017. Të gjitha ndeshjet si vendase, Kosova i kishte luajtur në “Loro Boriçi” të Shkodrës, pasi në vend nuk kishte stadium që i plotësonte kriteret ndërkombëtare.
Rezultatet negative ndikuan që Albert Bunjaki të largohej dhe në vend të tij u emërua Bernard Challandes, i cili së fundmi ka rezultuar pozitiv me koronavirus dhe nuk mundi ta drejtojë Kosovën kundër Shqipërisë. Vendin e tij në duelin ndaj “kuqezinjve” e zuri trajneri i parë, Muharrem Sahiti.
Ish-selektori i Kosovës, Albert Bunjaki, mendon se nuk duhet të kritikohen rezultatet e arritura në Ligën C të Ligës së Kombeve. Ai thotë për KOHËN se ky është kapaciteti që ka përfaqësuesja e cila tani luan në një ligë më të fortë sesa Liga D e Ligës së Kombeve.
“Nuk është ideja që të shikohen vetëm rezultatet negative. Tani jemi në Ligën C dhe është normale që të pritet disa vjet për të kaluar në një nivel më lart. Duhen kohë dhe durim. Duhet të përkrahet Përfaqësuesja në këto situata. Janë këta që na kanë bërë të mburremi me rezultatet që i kanë arritur. Të mos harrojmë që i kanë mposhtur Malin e Zi, Bullgarinë e Çekinë. Tani jemi në një nivel më të lartë dhe futbollistët duhet të piqen më shumë. Disa kanë pasur zhvillim e disa kanë mbetur aty ku kanë qenë. Në disa pozicione, konkurrenca nuk është rritur dhe ky është realitet”, deklaroi Bunjaki. Ai thekson se koha e tij me të tashmen dallon shumë. Bunjaki shton se ngritja e Kosovës që nga ajo periudhë ka qenë e madhe.
“Nuk duhet ta krahasojmë kohën kur unë kam qenë në krye të Kosovës me kohën e tashme. Qëllimi i vetëm për mua në atë kohë ka qenë krijimi i kësaj kombëtareje. Atëherë kemi luajtur në kualifikimet e Botërorit, kurse tani në Ligës të Kombeve. Në atë kohë përveç problemeve të shumta që kemi pasur në aspekte të ndryshme, të mos harrojmë se Milot Rashica ka qenë 19 vjet, Vedat Muriqi e të tjerët po ashtu kanë qenë të rinj dhe u është dashur zhvillim në klubet e tyre. Unë e kam ditur që nuk mund ta mposhtim Kroacinë, as sot nuk mund ta mposhtim, e ndoshta as në 5 vjetët e ardhshëm. Disa janë zhvilluar dhe kanë ecur mirë, kurse disa të tjerë kanë mbetur aty. Në këtë gjendje që është Kosova duhet ta rrisë konkurrencën në të gjitha pozitat. Të mos harrojmë që ka pasur ngritje të madhe që nga formimi, 100 vende është ngritur në ranglistën e FIFA-s”, tha ai.
Bunjaki foli edhe për përzgjedhësin Bernard Challandesi, të cilin e përkrah. Megjithatë, thekson se i takon Federatës që të vendosë për selektorin.
“Unë e përkrahi trajnerin. Se a duhet të shkojë apo të qëndrojë, për këtë vendos Federata. Duhet të analizohen gjendja, të shikohet projekti i ri, plani, objektivat etj. Unë kur jam larguar, kam vendosur të lë Kosovën dhe nuk kam dashur as të negocioj për vazhdimin e kontratës. Pas 9 vjetësh jam larguar. 17 vjet kam punuar pa pushim dhe ishte momenti që të largohem”.
KOHA ka provuar të marrë një prononcim edhe nga trajneri i parë i Kosovës, Muharrem Sahiti, por ai gjatë së enjtes nuk është përgjigjur. Ndërkohë pas humbjes ndaj Shqipërisë kishte deklaruar se nuk ka qenë me çdo kusht fitorja ndaj “kuqezinjve”. Ai shtoi se ka provuar disa lojtarë të rinj që nuk kanë pasur hapësirë të mjaftueshme në të kaluarën. Në fakt më shumë se humbja brengos paraqitja në fushë e Kosovës.
“Sigurisht që është një rezultat negativ kjo humbje. E kemi nisur keq, pastaj e kemi pasur një tjetër ritëm, por sërish nuk ishim mjaftueshëm. Sigurisht që nuk ishte si kusht fitorja patjetër ndaj Shqipërisë, dëshironim që të provonim disa lojtarë të rinj që kanë pasur më pak minuta në klubet e tyre. Nuk duhet të harrojmë që po luanim me Shqipërinë, ka një mbrojtje shumë të mirë dhe është Kombëtare me shumë cilësi”, kishte thënë Sahiti. Muharrem Sahiti së bashku me ndihmësin tjetër te Kosova, Genc Hoxha, ishin edhe në kohën e Albert Bunjakit.
Në nëntë ndeshjet e fundit, Kosova ka arritur të realizoijë vetëm gashtë gola dhe ka pësuar 14. Prej nëntë dueleve të luajtura, dy prej tyre kanë qenë miqësore. Me 15 nëntor, “Dardanët” përballen me Slloveninë në Lubjanë, kurse më 18 nëntor në “Fadil Vokrri” e presin Moldavinë, ndeshje e fundit të ciklit të dytë të Ligës së Kombeve. Me 2 pikë, Kosova zë vendin e tretë në Grupin 4 të Ligës C të Ligës së Kombeve.
Në serinë aktuale, Kosova ka humbur nga Çekia (2:1), Anglia (4:0), Suedia B (1:0, me ekipin B), Greqia (2:1), Maqedonia e Veriut (2:1), Sllovenia (1:0), Shqipëria (2:1). Ndërkohë ka barazuar me Moldavinë (1:1) dhe me Greqinë (0:0).