Ganimete e Miftar Hajdari, vëlla e motër, nuk arritën deri në fund të ndiqnin ëndrrën e tyre për t’u shkolluar. Ata u vranë nga pushtuesi serb në luftën e fundit në Kosovë, shkruan Llapi.info.
Por, vëlla e motër janë rikthyer në bronz përpara moshatarëve të tyre në shkollën fillore “Sheqë Mirofci” të fshatit Shtedim të Podujevës.
Në shenjë kujtimi për ta, pllaka e tyre është vendosur në oborrin e kësaj shkolle. Kështu ka bërë të ditur autori i kësaj vepre, Bedri Kadriu.
“Në mesin e më shumë se njëmijë fëmijëve shqiptarë të vrarë në luftën e Kosovë ishin dhe Ganimete dhe Miftar Hajdari nga fshati Shtedim i komunës së Podujevës. Ganimetes dhe Miftarit forcat serbe ua ndalen në gjysmë ëndrrën e tyre për të jetuar e shkolluar. Pikërisht në oborrin e shkollës së tyre ku ata vinin e shkonin çdo ditë të buzëqeshur e plotë shpresë, të lumtur e me shumë ëndrra, ata sot u kthyen në bronz, për të qëndruar gjithmonë pran moshatarëve të tyre. Në shenjë kujtimi në oborrin e shkollës fillore “Sheqë Mirofci” të fshatit Shtedim të Podujevës u vendos pllaka përkujtimore në nderim të engjëjve martirë. Si autor i kësaj vepre jam i nderuar dhe falënderues ndaj familjes Hajdari për punën që ma besuan”, ka shkruar ai në Facebook./Llapi.info