Para pak kohësh është publikuar përgjigjja që zyra e zv.kryeministrit Driton Selmanaj i ka kthyer Komisionit për Persona të Pagjetur, në kërkesën për raportim ku dëshmohet se ai ka deklaruar se tema e të pagjeturve është konsumuar.

Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” Nysrete Kumnova ka bërë thirrje që Selmanaj të jep dorëheqje dhe të largohet sa më parë nga qeveria.

“Jemi prek shumë sepse Dritoni besojë që jeton në Kosovë edhe ne të gjithë e kemi përjetuar luftën, dhe atij nuk e di sesi ju ka dok që kjo çështje është konsumuar kur edhe 1 një mijë e 600 janë veta ende të pagjetur mbahen në varreza të Serbisë. Për ne si familjarë edhe për mua si kryetare e Shoqatës ‘Thirrjet e Nënave’ si nënë unë kam bërë thirrje që ai duhet të jep dorëheqje dhe të largohet sa më parë nga qeveria, nuk ia vlen më”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Ndërkaq, sot në media është raportuar se pas deklaratës së zëvendëskryeministrit Driton Selmanajt për çështjen e të pagjeturve, në internet ka nisur peticioni online për shkarkimin e tij. Peticioni i cili ka nisur mbrëmë, deri sot në mëngjes është nënshkruar nga gjithsej 1 mijë e 761 persona.

E pyetur për peticionin ndaj Selmanajt, Kumnova e cilësoi këtë veprim si të duhur pasi që qëndrimet e Selmanajt, sipas saj kanë qenë të padrejta dhe ofenduese.

“Qytetarët e kanë mendimin e vet dhe e vlerësojnë vet dhe besojë që nuk kanë bërë keq. Nuk jam e njoftuar për këtë gjë, por unë flas personalisht për familjet e mia dhe atë çfarë e kemi pasur e kemi thënë, tash edhe qytetarët i vlerësojnë qëndrimet e atij (Driton Selmanajt), kanë qenë të pa drejta dhe të pamatura dhe ofenduese për gjithë qytetarët që kanë dhënë jetën për gazepi”, ka theksuar Kumnova.