Feride Mehani, 73-vjeçare nga Podujeva jeton e vetme tash e 15 vite. Përveç vetmisë ajo vuan nga të pamurit, nga sëmundja e zemrës si dhe nga tensioni. Ndërsa, shtëpia në të cilën ajo jeton është në gjendje të mjerueshme.

Me lotë në sy Feridja tregonte se burri i kishte vdekur 15 vite më parë, ndërsa fëmijë nuk ka. Jeton vetëm me një pension në vlerë prej 75 euro në muaj.

“Burri tash i bënë 15 vjet që kur ka vdekur. Jetoj vetëm me një pension 75 euro në muaj, i cili më shkon për barëra. Ndonjëherë 50 euro më kushtojnë vetëm disa barëra, ndonjëherë tjetër 20 euro”, ka thënë ajo.

Feridja ka treguar se e ka vetëm një fqinje e cila mundohet t’i ndihmojë kur ajo ka nevojë.

Ajo për llapi.info ka treguar se në Maj të këtij viti është dashur t’i bëjë dy operime në sy, për të cilat Ministria e Shëndetësisë i’a kishte ndarë 8.000 euro, por mjekët në spitalin e Shkupit i’a kishin bërë vetëm një operim edhe pse të hollat i kanë marrë për dy operime.

Nga ana tjetër, Feridja kishte kërkuar ndihmë edhe nga Komuna e Podujevës për ndërtimin e një shtëpie në kohën kur i kishte vdekur burri. Por, sipas Ferides, zyrtarët komunal në atë kohë i kishin thënë që nuk ndërtojmë shtëpi vetëm për një person.

Tani, Feridja jeton vetëm nën mëshirën e fatit dhe me ndihmën e njerëzve vullnetmirë./Llapi.info