Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi ka reaguar pas publikimit të listës me emrat e personave që thuhet se kanë lidhje me zyrtarë të lartë të partive politike e që të njëjtit tashmë shërbejnë në diplomaci.
Bislimi ka ironizuar me emërimet që janë bërë, duke thënë se “kafshatë që nuk kapërdihet është diplomacia”, transmeton Telegrafi.
“Kafshatë që nuk kapërdihet është diplomacia; kafshatë që të mbetet në fyt, por ta çon te poshtë Ministria, kur ka Ministra si ky zotniu që: mbesën, këshilltarët rend e skej, sekretareshen, depoistin, shoferin… krejt t’i ka bërë diplomatë, konsujë e ambasadorë! EHooo!!! Veç nuk e ditëm a kanë ‘kukuru këta në këto pozita hiq a jo? Po nejse, se kualifikimet garant nuk iu kanë mungu, si p.sh depoist e diplomat, kanë do shkronja të përbashkëta”, thotë në reagimin e tij deputeti Bislimi.
Tutje, ai ka thënë se ministrja aktuale e MPJD-së, Meliza Haradinaj-Stublla po vazhdon rrugën e paraardhësve të saj.
“Prandaj, nuk kem pse me u habitë që kjo zonja që sot e udhëheq këtë Ministri po e vazhdon rrugën e trasuar nga disa pararendës të saj, ani pse procedurat pak po i huçë nganjëherë, po mësohet, mësohet kismet”, vijon reagimi.
Ndryshe, ditën e enjte në RTV Dukagjini janë prezantuar emrat e personave që thuhet se kanë lidhje me zyrtarë të lartë të partive politike e që të njëjtit tashmë shërbejnë në diplomaci.
Së fundmi është riaktualizuar debati për emërimet në diplomaci pasi që ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani kishte shkarkuar katër konsuj të Kosovës.