Fundi i muajit nëntor çdo vit sjell emocione të veçanta për banorët e fshatit Penuhë të Podujevës.
Çdo 28 nëntor, banorë të këtij fshati mblidhen për të nderuar heronjtë e kësaj zone që dhanë kontributin e tyre për lirinë e vendit.
E këtë vit, dy të rinj të këtij fshati vendosën që në pjesën ku ndodhen istikamet që u shfrytëzuan nga ushtarët e kësaj zone, të bëjnë edhe ngritjen e flamurit, raporton KOHA.
Mes emocionesh, ish-ushtari i UÇK-së, Bekim Zhdrella, rrëfen për ndjenjën e veçantë që i dha ngritja e flamurit pikërisht në zonën ku ai kishte luftuar e ishte plagosur gjatë luftës.
Gëzimin në këtë datë historike atij ia zbeh mungesa e shokëve e bashkëudhëtarëve të tij në rrugën që ata ndoqën.
Iniciatorët e këtij aksioni thanë se gjatë javës këtu do të vendosin edhe një memorial në të cilin do të përkujtohen të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre gjatë luftës.