Zgjedhjet e jashtëzakonshme të Podujevës, të mbajtura një javë më parë, e nxorën fitues pa balotazh Shpejtim Bulliqin e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Llapi.info.

Këto zgjedhje i fitoi një tjetër parti për herë të parë pas 20 viteve që LDK po mbante pushtet në këtë komunë.

Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje doli i pari në zgjedhjet e 29 nëntorit. Ai madje fitoi pa balotazh përballë dy kandidatëve të tjerë nga LDK e PDK. Bulliqi mori  18 mijë e 286 vota, apo 51.9 për qind.

Në anën tjetër, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Nexhmi Rudari mori 12 mijë e 627 vota, apo 35.8 për qind. Ndërsa, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Naim Fetahu mori vetëm 4 mijë e 341 apo 12.3 për qind të gjitha votave.

Sipas rezultateve finale nëpër fshatra, të siguruar nga Llapi.info, VV doli fituese në shumicën dërrmuese të tyre, ku LDK printe vazhdimisht, madje edhe bindshëm.

Në fshatin Gllamnik, në shkollën “Kongresi i Manastirit”, ku kanë votuar 1.192 banorë, 609 prej tyre kanë qenë të kandidatit të VV-së, Shpejtim Bulliqi. LDK në këtë fshati ka marr 447, e PDK 136 vota.

Lëvizja Vetëvendosje bindshëm është votuar edhe në fshatin Batllavë. Kjo parti ka marr plot 604 vota, LDK 389 dhe PDK 118.

Në fshatin Letanc nga 805 vota valide, VV ka marr 401, Nexhmi Rudari i LDK-së 329 dhe PDK-ja me kandidatin Naim Fetahu 76.

Ndërkaq, VV doli fituese bindshëm edhe në fshatin Lluzhan. Sipas rezultateve, kjo parti ka marr 657 vota, LDK 336 dhe PDK 113.

Në shkollën “Zenel Hajdini” të fshatit Lupç i Poshtëm kanë votuat 770 banorë. Edhe në këtë anë, VV ka fituar 457 vota, LDK 234 dhe PDK 79.

Lidhja Demokratike e Kosovës edhe zyrtarisht ka humbur bastionin më të madh të saj në Llap.

Lëvizja Vetëvendosje ka thyer “kalanë” e kësaj partie në zgjedhjet e 29 nëntorit, parti kjo që ka qeverisur me këtë komunë përgjatë dy dekadave./Llapi.info